“E gjetëm!”, shpëtohet piloti amerikan i zhdukur në Iran, Trump zbulon detaje nga misioni

Anëtari i dytë i ekuipazhit në bordin e avionit F-15E, i cili u rrëzua mbi Iran të premten, është shpëtuar nga forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara, të cilat kryen një mision shpëtimi më herët të shtunën.

05.04.2026. 08:51

“E gjetëm!”, shpëtohet piloti amerikan i zhdukur në Iran, Trump zbulon detaje nga misioni

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka konfirmuar shpëtimin e pilotit amerikan që ishte zhdukur pas rrëzimit të avionit të tij F-15E mbi territorin iranian, duke e cilësuar operacionin si një nga më të guximshmit në historinë ushtarake amerikane.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi: “E kemi gjetur! … kam kënaqësinë t’ju informoj se ai tani është i sigurt dhe mirë!”

Ai theksoi se oficeri, një kolonel i respektuar, kishte mbetur për ditë të tëra pas vijave të armikut në zona malore të rrezikshme në Iran, ndërsa forcat amerikane monitoronin vazhdimisht pozicionin e tij dhe përgatisnin operacionin e shpëtimit.

“Ky luftëtar i guximshëm ishte pas vijave të armikut… i ndjekur nga armiqtë tanë… megjithatë ai nuk ishte kurrë vërtet vetëm”, shkroi Trump, duke shtuar se misioni u koordinua nga nivelet më të larta të udhëheqjes ushtarake amerikane.

Sipas tij, në operacion u përfshinë dhjetëra avionë të Forcave Ajrore amerikane. “Me udhëzimin tim, Forcat Ajrore të SHBA-së kanë dërguar dhjetëra avionë… për ta rikuperuar atë.”

Trump bëri të ditur gjithashtu se ky ishte operacioni i dytë i shpëtimit brenda pak ditësh, pasi një tjetër pilot ishte evakuuar më herët, por pa u bërë publik për arsye sigurie.

“Kjo është hera e parë në kujtesën ushtarake që dy pilotë amerikanë janë shpëtuar, veçmas, thellë në territorin armik. Nuk do të lëmë kurrë një luftëtar amerikan pas!”, theksoi ai.

Në përfundim të deklaratës së tij, Trump lavdëroi ushtrinë amerikane. “Ne kemi ushtrinë më të mirë, më profesionale dhe më vdekjeprurëse në historinë e botës.”

Ndërkohë, raportime nga mediat iraniane flasin për viktima si pasojë e sulmeve ajrore në zonat ku besohej se ndodhej piloti, ndërsa autoritetet iraniane pretendojnë se kanë rrëzuar një avion amerikan gjatë operacionit, pretendime që nuk janë konfirmuar nga SHBA.

Agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me trupat e Gardës Revolucionare Islamike, raportoi më parë se një guvernator lokal tha se të paktën tre persona ishin vrarë në sulmet në një zonë malore të provincave Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad në Iranin jugperëndimor.

Sipas informacioneve paraprake, operacioni i shpëtimit ka qenë i gjatë dhe kompleks, duke përfshirë përleshje të armatosura dhe përdorimin e forcave speciale.

Gazeta New York Times raporton se qindra ushtarë të forcave speciale dhe dhjetëra avionë luftarakë dhe helikopterë amerikanë janë vendosur për të gjetur anëtarin e ekuipazhit të avionit F-15 të rrëzuar në Iran. Gjithashtu raportohet se disa avionë amerikanë u shkatërruan.

Dy avionë amerikanë C-130, të cilët do të përdoreshin për të evakuuar pilotët, mbetën të bllokuar në rërë në Iran dhe u shkatërruan nga vetë forcat amerikane për të parandaluar që ata të binin në duart e autoriteteve iraniane.

Megjithatë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike pretendon se avionët u rrëzuan nga sulmet iraniane.

"Një avion armiqësor amerikan, i cili po kërkonte pilotin e një avioni luftarak të rrëzuar, u shkatërrua nga militantët islamikë në provincën jugore të Isfahanit", raportoi Tasnim, pa konfirmuar deklaratën e SHBA-së se piloti amerikan ishte shpëtuar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)