Ushtria izraelite tha se mbrojtja e saj ajrore iu përgjigj valëve të lëshimeve të raketave iraniane në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke përfshirë të paktën dy sulme pas fjalimit të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump drejtuar kombit mbi luftën në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, ambasada amerikane në Bagdad po u bën thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga Iraku, duke paralajmëruar se "milicitë pro-iraniane" mund të godasin qendrën e kryeqytetit brenda 24 deri në 48 orësh.
“Këto grupe mund të synojnë qytetarët, bizneset, universitetet, misionet diplomatike, infrastrukturën energjetike, hotelet, aeroportet dhe vende të tjera amerikane që besohet se janë të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe institucionet dhe objektivat civile irakiane”, paralajmëroi Ambasada e SHBA në një postim në X.
Sipas njoftimit udhëtimi për në Ambasadën e SHBA-ve në Bagdad ose Konsullatën e Përgjithshme në Erbil nuk rekomandohet për shkak të rreziqeve të vazhdueshme të sigurisë, duke përfshirë raketat, dronët dhe predhat në hapësirën ajrore irakiane.
Sakaq, ushtria iraniane po zotohet për sulme "shkatërruese" kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit pas kërcënimeve nga Donald Trump.
"Me vullnetin e Zotit, kjo luftë do t'ju sjellë poshtërim, disfatë, keqardhje dhe kapitullim", tha komanda e operacioneve ushtarake Khatam Al-Anbiya, e cituar nga Mehr, në përgjigje të deklaratave të fundit të presidentit amerikan, i cili tha se Shtetet e Bashkuara do të nisin sulme masive bombarduese kundër Iranit brenda dy deri në tre javësh.
Shtabi i përgjithshëm ushtarak iranian Khatam al-Anbiya deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë informacion të pa plotë për aftësitë ushtarake të Iranit, duke u zotuar të vazhdojë konfliktin deri në "dorëzimin përfundimtar" të armiqve.
"Informacioni juaj në lidhje me fuqinë dhe pajisjet tona ushtarake është i pjesshëm. Ju nuk i dini aftësitë tona të gjera dhe strategjike", tha një zëdhënës në një deklaratë të transmetuar nga agjencia e lajmeve Tasnim.
Zëdhënësi gjithashtu i kërkoi Uashingtonit dhe Tel Avivit të mos mashtrojnë veten duke menduar se kanë shkatërruar infrastrukturën kyçe.
"Mos mendoni se keni eliminuar qendrat tona strategjike të prodhimit të raketave, dronët sulmues me rreze të gjatë dhe preciz, sistemet moderne të mbrojtjes ajrore dhe të luftës elektronike, ose teknologjitë tona speciale. Aktivitetet tona strategjike ushtarake po zhvillohen në vende për të cilat ju nuk keni njohuri dhe nuk do të jeni kurrë në gjendje të arrini", shtoi ai, duke i përshkruar vendet e goditura deri më tani si "të parëndësishme".
Ndërkohë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, i cituar nga IRNA tha se vendi i tij është i vendosur të vazhdojë mbrojtjen kundër atij që e cilësoi si “agresioni i SHBA-Izrael, për sa kohë që kjo luftë e paligjshme vazhdon”.
"Irani nuk do të tolerojë ciklin vicioz luftë-negociata-armëpushim, vetëm për të përsëritur të njëjtin model. Kjo është katastrofike jo vetëm për Iranin, por për të gjithë rajonin dhe më gjerë”, shtoi ai.
Ministria e Jashtme iraniane tha gjithashtu se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, nuk u lëndua nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, duke shtuar se mosparaqitja në publik është praktikë e zakonshme gjatë kohës së luftës.
“Djali i të ndjerit Ali Khamenei, i vrarë në një sulm në fillim të luftës, gëzon shëndet të plotë", sipas zëdhënësit Esmaeil Baghaei.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)