Më shumë se 80 persona kanë humbur jetën pas sulmeve ajrore të ndërmarra nga Pakistani në territorin afgan, sipas një burimi të sigurisë pakistaneze për AFP. Mes viktimave raportohet se ka edhe të paktën dhjetë fëmijë.
Islamabadi ka konfirmuar operacionin, duke deklaruar se objektiv i bombardimeve kanë qenë baza të lidhura me grupin Tehrik-i-Taliban Pakistan, një organizatë rebele e afërt me regjimin taleban në Afganistan. Sipas autoriteteve pakistaneze, sulmet u kryen si kundërpërgjigje ndaj atentateve vetëvrasëse të ndodhura së fundmi në Pakistan.
Një zyrtar i lartë pakistanez tha për mediat vendase se janë goditur shtatë kampe, që dyshohet se strehojnë talebanë pakistanezë dhe një grup të lidhur me Shtetin Islamik. Zv.ministri i Brendshëm i Pakistanit, Talal Chaudhry deklaroi se numri i të vrarëve është “të paktën 70 militantë”, ndërsa burime të tjera flasin për mbi 80 viktima dhe paralajmërojnë se bilanci mund të rritet.
Bombardimet kanë prekur lindjen e Afganistanit, veçanërisht distriktin Bishud në provincën Nangarhar, me kryeqendër Jalalabad. Sipas autoriteteve talebane lokale, 17 civilë, mes tyre edhe 11 fëmijë, janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur. Qeveria talebane ka mohuar më herët se po strehohen militantë në territorin e saj dhe, pas sulmeve, ka thirrur ambasadorin pakistanez për sqarime, duke rritur tensionet mes dy vendeve fqinje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)