Një 50-vjeçare, me detyrë përgjegjëse sektori në një supermarket në provincën e Rovigo në Ferrara është pushuar nga puna për “arsye të drejtë”, pasi u kap duke luajtur padel gjatë periudhës që isgte me raport mjekësor. Megjithatë, gjykata ka pranuar pjesërisht padinë e saj, duke e cilësuar masën si të paligjshme dhe duke i njohur 18 paga mujore dëmshpërblim, pa e rikthyer në vendin e punës.
Ngjarja daton në janar 2024, kur gruaja u pa në një palestër duke luajtur padel, ndërsa rezultonte me raport mjekësor. Pas rikthimit në punë, punëdhënësi i komunikoi një masë disiplinore dhe më pas vendosi ta largojë menjëherë nga puna. Punonjësja, e cila kishte 27 vite eksperiencë në të njëjtën kompani, vendosi ta çojë çështjen në gjykatë.
Sipas vendimit të gjykatës së Rovigo, gjatë procesit u provua se aktiviteti sportiv ishte kryer jashtë orareve të kontrollit mjekësor dhe nuk kishte përkeqësuar gjendjen shëndetësore të punonjëses, e cila ishte në rikuperim pas një frakture. Dëshmitë dhe raportet mjekësore konfirmuan se asaj i ishte rekomanduar të shmangte ngritjen e peshave, por jo aktivitetin sportiv në përgjithësi.
Gjykata arriti në përfundimin se largimi i menjëhershëm nga puna ishte “një masë e tepruar dhe joproporcionale” në raport me shkeljen, duke theksuar se kompania mund dhe duhej të kishte aplikuar një masë më të lehtë disiplinore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)