Një punonjës supermarketi në Spanjë, me mbi 30 vite përvojë pune, është shpallur fitues në betejën ligjore ndaj kompanisë së tij, pasi drejtësia ka vendosur se largimi i tij nga puna ishte i padrejtë. Gjykata ka urdhëruar kompaninë që ose ta rikthejë punonjësin në vendin e punës, ose t’i paguajë një dëmshpërblim në vlerën 105.716,09 euro.
Ngjarja ka ndodhur më 4 tetor 2023, kur punonjësi, me rastin e ditëlindjes së tij, u ofroi kolegëve disa ëmbëlsira të marra nga vetë supermarketi. Produktet u konsumuan para hapjes së dyqanit dhe u hoqën para ardhjes së klientëve. Gjatë pagesës, për shkak të një gabimi në regjistrim dhe arkëtim, u pagua vetëm një pjesë e shumës, konkretisht 10,23 euro. Disa ditë më pas, gabimi u korrigjua dhe u pagua diferenca prej 58,59 euro.
Megjithatë, një muaj më vonë, kompania e pushoi nga puna për shkelje të rregullores së brendshme. Punonjësi e çoi çështjen në gjykatë dhe fitoi. Si Gjykata e Shkallës së Parë në Vigo, ashtu edhe Gjykata e Lartë e Galicisë, vlerësuan se nuk kishte qëllim mashtrimi apo dëm ekonomik për kompaninë.
Gjykata theksoi se masa e shkarkimit ishte e tepruar, duke marrë parasysh edhe faktin se raste të ngjashme ishin toleruar më parë, pa masa disiplinore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)