Një mace e rrallë, e egër, shfaqet pas 30 vitesh

Një mace e egër me kokë të sheshtë, e cilësuar si specie në zhdukje, është rishfaqur në Tajlandë pas 30 vitesh.

30.12.2025. 19:50

Një mace e rrallë, e egër, shfaqet pas 30 vitesh

Departamenti i Parqeve Kombëtare të Tajlandës dhe organizata për ruajtjen e jetës së egër “Panthera Thailand” njoftuan këto ditë praninë e konfirmuar të maces së egër me kokë të sheshtë në një rezervat për jetën e egër në jug të vendit.

Kjo specie është një nga më të rrallat dhe më të rrezikuara në botë, e ky është regjistrimi i parë i konfirmuar i saj në Tajlandë në tre dekada.

Studiuesit i gjurmuan këto mace të egra duke përdorur kamera kurth në distancë në rezervatin e jetës së egër “Princesha Sirindhorn” të Tajlandës në vitet 2024 dhe 2025. Në vitin 2024, u regjistruan 13 raste kur kjo specie shfaqet, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 16 të tjera.

Organizata për ruajtjen e maceve “Panthera” njoftoi rishfaqjen të premten, më 26 dhjetor, ditën që përkon me Ditën vjetore të Ruajtjes së Jetës së Egër në Tajlandë. Kamerat kapën gjithashtu imazhe të një kafshe të rritur me një këlysh, duke konfirmuar se ka aktivitet riprodhimi në zonë.

Kritsana Kaewplang, drejtoreshë e Panthera Tajlandë, tha se zbulimi tregon se si mbrojtja e ekosistemeve mund të sjellë rezultate konservimi që dikur mendoheshin të pamundura.

"Pas pothuajse 30 vitesh pa parë raste të konfirmuara, ky zbulim tregon se speciet e rrezikuara mund të rikuperohen kur ekosistemet e tyre mbrohen në mënyrë efektive", tha ajo.

Çfarë janë macet me kokë të sheshtë?

Macja me kokë të sheshtë (Prionailurus planiceps) është një nga macet e egra më të vogla në Azi dhe dallohet nga kafka e saj e gjerë dhe e sheshtë. Ka këmbë të lidhura me rrjetë, të cilat e ndihmojnë të lëvizë në mjedise me moçale, siç janë pyjet e përmbytura, ku mendohet se gjuan kryesisht peshq.

Kjo mace misterioze është më e vogla në Azinë Juglindore, me peshë rreth 2 kilogramë, më pak se një mace shtëpiake dhe rrallë shihet nga njerëzit.

Vlerësimi më i fundit i specieve nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), i kryer në vitin 2014, arriti në përfundimin se macet kokështypura kërcënohen me zhdukje. Ato kërcënohen kryesisht nga humbja dhe degradimi i ligatinave dhe pyjeve të tyre të ulëta, si dhe nga aktivitetet njerëzore si mbipeshkimi dhe gjuetia.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)