Një punëtor 58-vjeçar në Spanjë është dëmshpërblyer me 25 mijë euro pasi u pushua nga puna gjatë kohës që ndodhej me raport mjekësor pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës.
Ngjarja ndodhi më 9 nëntor 2022, në Tarragona, ku punonjësit i ra një tra mbi trup gjatë punimeve të shembjes së një ndërtese. Si pasojë, ai pësoi fraktura në shtyllën kurrizore dhe u detyrua të qëndronte për një periudhë të gjatë në paaftësi të përkohshme për punë. Në momentin e aksidentit kishte vetëm gjashtë muaj që punonte në kompani.
Më 25 janar 2023, ndërsa ishte ende me raport, kompania i komunikoi me letër pushimin nga puna, duke e cilësuar si “të padrejtë” dhe duke i paguar një dëmshpërblim prej 1.320 eurosh. Punëtori e konsideroi këtë vendim si hakmarrje për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe iu drejtua gjykatës.
Fillimisht, Gjykata e Shkallës së Parë rrëzoi padinë, duke argumentuar se nuk ishin provuar dëme shtesë. Por pas ankimit, Tribunal Superior de Justicia de Cataluña arriti në përfundimin se kishte indicie të mjaftueshme për diskriminim për shkak të sëmundjes.
Gjykata vlerësoi se pushimi nga puna u bë pa një arsye objektive dhe në kohën kur punëtori ishte në paaftësi të përkohshme, duke cenuar të drejtat e tij themelore. Për këtë arsye, kompania u dënua të paguajë 25 mijë euro dëmshpërblim për dëmin moral. Megjithatë, pushimi nuk u shpall i pavlefshëm, pasi afati ligjor për ta kërkuar këtë kishte skaduar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)