Luajti vetëm një ndeshje me Man. City, u tërhoq në moshën 26-vjeçare dhe krijoi një markë globale

Nga fushat e futbollit ku zbriti vetëm një herë në fushë në Premier League, Reece Wabara la gjithçka për tu përqendruar te moda: krijoi një markë me vlerë mbi 40 milionë euro.

04.04.2026. 15:34

Luajti vetëm një ndeshje me Man. City, u tërhoq në moshën 26-vjeçare dhe krijoi një markë globale

Një ish-lojtar i Akademisë së Manchester City, u tërhoq nga futbolli profesionist në moshën 26-vjeçare. Ai quhet Reece Wabara dhe vendosi ta braktiste futbollin pas një karriere që përfshinte një paraqitje të vetme në Premier League me “sitizëns” dhe disa huazime në klubet e ligave më të ulëta angleze.

Wabara, i cili ka qenë kapiten i skuadrës së të rinjve të Manchester City, ka luajtur për skuadra si Ipswich Town, Oldham Athletic, Blackpool, Doncaster Rovers, Wigan Athletic dhe Bolton Wanderers. Por, ndërsa karriera në futbollin profesionist nuk ishte si në ëndrra, ai vendosi të përqendrohej plotësisht te biznesi i tij i modës.

Në vitin 2013 kishte hapur “Manière De Voir” (MDV), që e nisi si projekt dytësor. I nxitur nga Lewis Morgan, bashkëthemelues i “Gymshark”, Wabara investoi fillimisht afro 20 mijë euro në markën e tij, e cila specializohet në modën e veshjeve të rrugës, por me cilësi premium. “E dija që ditët e mia te City po mbaronin… Duhej të kisha një opsion të dytë për të qenë i rëndësishëm dhe të kisha financa të qëndrueshme,” tha Wabara për “The Times” në vitin 2021.

Ai synonte të krijonte veshje që bashkonin modën e lartë me modën e veshjeve të rrugës. Prej fillimit, MDV është zgjeruar nga një dyqan online në katër lokacione globale, duke përfshirë një dyqan kryesor në Oxford Street të Londrës dhe një tjetër në New York. Produket e kësaj kompanie janë veshur nga Anthony Joshua dhe Raheem Sterling. Të ardhurat e kompanisë janë rritur nga 11 milionë euro në më tepër se 40 milionë euro në harkun e tre viteve.

Arritjet e Wabaras në fushën e biznesit, i dhanë një vend në listën Forbes Under-30 në vitin 2021 dhe e pozicionuan të 19-in në “Sunday Times Young Rich List” për vitin 2023, me një pasuri neto prej më tepër se 95 milionë euro. Me këto shifra, ai ka tejkaluar pasurinë e shumicës së lojtarëve të Premier League. Nga një anonim në futbollin profesionist, Wabara u bë njeriu që krijoi një sipërmarrje globale në botën e modës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)