Arrestohet Roberto Mazzarella, bosi i “Camorras” fshihej në resortin luksoz me çmim njëmijë euro nata

Shkoi të kalonte Pashkët me familjen, ishte në listën e personave më të rrezikshëm që Ministria e Brendshme italiane kishte shpallur në kërkim.

04.04.2026. 15:55

Arrestohet Roberto Mazzarella, bosi i “Camorras” fshihej në resortin luksoz me çmim njëmijë euro nata

Pas më tepër se një viti në arrati, u arrestua Roberto Mazzarella, kreu i klanit të njohur të Camorras në Napoli. Ai ishte në listën e personave më të rrezikshëm që Ministria e Brendshme italiane kishte shpallur në kërkim.

Mazzarella u gjet nga karabinierët italianë i fshehur në një resort luksoz në “Vietri sul Mare”, në provincën e Salernos. Ai ishte regjistruar me identitet të rremë, kishte prenotuar një suitë me çmim 1 mijë euro nata dhe planifikonte të kalonte Pashkët me familjen.

I lindur në vitin 1978, Mazzarella ishte në arrati prej 28 janarit 2025, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Napolit. Ai akuzohej për vrasje me metoda mafioze. Gjithashtu, prokurorët e cilësonin si porositës dhe ekzekutor në vrasjen e Antonio Maione.

Ky i fundit u vra më 15 dhjetor 2000 në një dyqan sallamesh në Napoli, në kuadër të hakmarrjejes mes klaneve. Gjatë bastisjes në resort, karabinierët gjetën dhe sekuestruan tre orë luksoze, rreth 20 mijë euro, dokumente false, celularë dhe dorëshkrime që lidhen me llogaritë e mundshme të klanit. Mazzarella nuk e kundërshtoi arrestimin.

Operacioni u koordinua nga njësia e hetuesve, njësitë speciale të Napolit pot edhe kapitaneria e Portit të Salernos. Arrestimi i Mazzarellas përfaqëson një goditje të fortë për klanin e Camorras dhe i jep fund arratisë që zgjati për më tepër se një vit. Gjatë kësaj periudhe, ai kishte arritur të shmangte arrestimin pas lëshimit të urdhërit të kapjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)