Zgjedhja e presidentit, Kurti pritet të takojë sot Lumir Abdixhikun

Në përputhje me afatet kushtetuese, kanë mbetur edhe dhjetë ditë për procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit në Kosovë.

23.02.2026. 10:41

Zgjedhja e presidentit, Kurti pritet të takojë sot Lumir Abdixhikun

Procesi për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Kosovës ka hyrë në fazën vendimtare, teksa afatet kushtetuese po afrohen drejt fundit. Kryeministri Albin Kurti ka nisur një seri takimesh me drejtuesit e partive opozitare, me synim koordinimin parlamentar për këtë proces.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka njoftuar se sot do të zhvillojë një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Aty do të diskutohen hapat e mëtejmë drejt zgjedhjes së presidentit.

Një ditë më parë, Kurti u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Sipas njoftimit nga zyra e Kryeministrit, në fokus të bisedës ishte procesi i zgjedhjes së presidentit, për të cilin kanë mbetur edhe dhjetë ditë në përputhje me afatet kushtetuese.

Pas takimit, Hamza theksoi se zgjedhja e presidentit nuk duhet të shihet si çështje e një partie të vetme, por si përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve. Ai nënvizoi rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe me konsensus sa më të gjerë politik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)