Sërish alarm për bombë në disa shkolla në Tetovë e Shkup, evakuohen nxënësit

Autoritetet maqedonase janë ngritur në gatishmëri pas alarmeve për bomba në disa shkolla në Tetovë dhe Shkup.

Burimi: RTV21

24.02.2026. 17:27

Sërish alarm për bombë në disa shkolla në Tetovë e Shkup, evakuohen nxënësit

Autoritetet policore kanë ndërmarrë sërish masa këtë të martë pas alarmit për mjete shpërthyese në disa shkolla në Shkup dhe Tetovë. Sipas procedurave të sigurisë, nxënësit janë evakuuar menjëherë nga ambientet e shkollave dhe procesi mësimor është ndërprerë deri në përfundim të kontrolleve.

Sinjalizimet për praninë e bombave janë dërguar përmes postës elektronike në adresat zyrtare të drejtorive të shkollave, një skemë e ngjashme me atë të përdorur edhe disa muaj më parë në raste të tjera alarmesh të rreme. Edhe të hënën pati njoftime të tilla në disa shkolla fillore dhe të mesme në dy qytetet, por pas verifikimeve rezultoi se bëhej fjalë për denoncime të pavërteta.

Prindërit janë informuar menjëherë për situatën dhe shumë prej tyre iu drejtuan shkollave për të marrë fëmijët, mes shqetësimit dhe pasigurisë së krijuar.

Javën e kaluar, një alarm i ngjashëm u regjistrua edhe në gjimnazin “Kiril Pejçinoviç” në Tetovë, duke shtuar tensionin në komunitet. Megjithëse këto raste nuk kanë prodhuar pasoja fizike, ato kanë shkaktuar panik dhe ndërprerje të vazhdueshme të procesit arsimor.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për qetësi dhe bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar personat përgjegjës pas këtyre kërcënimeve të njëpasnjëshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)