Begaj nga Shkupi: Të zbatohet ligji për shqipen; Presidentja e RMV: Kënaqësi të shohësh Shqipërinë më pranë BE-së

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë një konference për shtyp në Shkup me homologen e tij, Gordana Siljanovska-Davkova, vlerësoi rolin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si shtetformues dhe faktor kyç për stabilitetin politik.

27.02.2026. 13:33

Begaj nga Shkupi: Të zbatohet ligji për shqipen; Presidentja e RMV: Kënaqësi të shohësh Shqipërinë më pranë BE-së

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Shkup, ku këtë të premte u prit nga homologia e tij, Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy krerët e shteteve vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe si të shkëlqyera dhe theksuan angazhimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha kyçe.

Presidentja Siljanovska-Davkova e cilësoi vizitën e Begajt si një dëshmi të nivelit të lartë të dialogut dhe respektit mes dy vendeve.

“Ishte një nder dhe kënaqësi për mua që ta mirëpres dhe t’i uroj pjesëmarrjen Presidentit Bajram Begaj. Kjo tregon edhe njëherë marrëdhëniet tona të shkëlqyera. Marrëdhëniet tona ndërtohen vetëm në sajë të respektit të ndërsjellët. Dialogu ynë politik kërkon një qasje të hapur dhe mirëkuptim”, u shpreh ajo.

Siljanovska-Davkova theksoi se mes dy vendeve nuk ka çështje apo konflikte të hapura, duke krijuar kështu hapësirë për një partneritet edhe më të thelluar.

“Një gjë është e qartë, ne nuk kemi çështje dhe konflikte të hapura, dhe nëse nuk i kemi këto, kemi mundësinë për partneritet të hapur.”

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte perspektiva europiane e rajonit. Siljanovska-Davkova vlerësoi progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Presidentja theksoi gjithashtu se bilateralizimi i procesit të eurointegrimit nuk duhet të shndërrohet në precedent, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të bazuar në meritë.

“Perspektiva europiane tashmë është më afër Shqipërisë dhe unë gjithmonë shpreh kënaqësinë për këtë. Anëtarësimi ynë realizohet përmes reformave. Besojmë se nuk ka investim më të madh në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor sesa stabiliteti në BE”, deklaroi ajo.

Nga ana e tij, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si model bashkëpunimi në rajon dhe theksoi mbështetjen e Shqipërisë për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut.

“Është kënaqësi dhe nder të takohemi së bashku. Faleminderit për ftesën, mikpritje dhe bisedën e ngrohtë dhe miqësore. Ne takohemi shpesh dhe për shumicën e gjërave biem dakord, ashtu siç duhet të ndodhë mes dy vendeve fqinje. Vlerësuam marrëdhëniet shumë të mira, miqësore dhe intensive mes dy vendeve dhe përkushtimin e përbashkët. Marrëdhëniet mes vendeve tona janë shembull i bashkëpunimit rajonal të vendosur për ta çuar më tej këtë bashkëpunim. Për ne, për Shqipërinë, vendi juaj konsiderohet partner i rëndësishëm ekonomik, por gjithmonë ka vend për më shumë. Afërsia nuk është vetëm gjeografike është e përditshme, gjendet te studentët, turistët, sipërmarrësit duhet të thellojmë më tepër këtë bashkëpunim, të krijojmë sinergji të reja. Korridori VIII është simbol I kësaj epoke të re bashkëpunimi. Nuk është vetëm rrugë transporti por energjitik, hekurudhor dhe rrugor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë partnerë të natyrshëm dhe strategjikë. Ne ndajmë të njëjtin vizion për të ardhmen europiane dhe do të vijojmë të mbështesim njëra-tjetrën në këtë rrugëtim", u shpreh Begaj.

Presidenti Begaj u ndal edhe tek debati për përdorimin e gjuhës shqipe, që është rindezur së fundmi në Maqedoninë e Veriut. Ai vendosi theksin tek roli i shqiptarëve si shtetformues dhe faktor kyç për stabilitetin politik, duke kërkuar zbatim të ligjit për gjuhën shqipe dhe ruajtjen e mekanizmave të barazisë.

“Shqiptarët këtu janë shtetformues, janë bashkëpunues. Faktorët shqiptare dhe mbeten kyç për stabilitetin politik. Shqiptarët dhe maqedonasit një urë e fortë për bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Përfaqësimi i drejtë dhe dinjitoz, dhe zbatimi i ligjit i gjuhës shqipe dhe ruajtja e mekanizmave të barazisë, nuk janë vetëm çështje teknike. Ne në jetën tonë mësojmë nga mësimet e së shkuarës dhe koha na ka mësuar se çdo vendimmarrje e balancuar është shumë e domosdoshme për etnitë. Të nderuar pjesëmarrës, folëm gjithashtu për integrimin europian, i cili është një projekt i përbashkët dhe drejtim strategjik i gjithë rajonit tonë. Për ne është i rëndësishëm integrimi, të mbyllim kapitujt deri në vitin 2027 dhe të jemi anëtarë deri në vitin 2030. Ne duhet që të punojmë së bashku dhe Shqipëria mbështet Maqedoninë në këtë rrugë të integrimit”, theksoi Begaj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)