Sëmundja e lisë së deleve dhe dhive është konfirmuar në katër ferma në Maqedoninë e Veriut, duke ngritur shqetësim për përhapjen dhe pasojat ekonomike në sektorin blegtoral.
Rasti i parë u evidentua para një muaji në fshatin Llopatë të Kumanovës, ku Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në Shkup konfirmoi praninë e virusit. Në vatrën primare janë therur dhe asgjësuar 65 dele, ndërsa në dy vatra të tjera janë eliminuar edhe 61 krerë të tjerë.
Autoritetet kanë vendosur zonë mbrojtëse prej 3 kilometrash dhe zonë nën mbikëqyrje prej 10 kilometrash rreth fermave të prekura. Brenda këtyre perimetrave është ndaluar lëvizja e deleve dhe dhive, janë mbyllur tregjet e bagëtive dhe janë pezulluar panairet dhe ekspozitat.
Po kryhet regjistrimi i fermave, kontrolli klinik i kafshëve dhe marrja e mostrave në çdo rast dyshimi.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari thekson se sëmundja nuk transmetohet te njerëzit, por paraqet rrezik serioz ekonomik për fermerët.
Qumështi nga zonat nën mbikëqyrje mund të tregtohet vetëm pas pasterizimit në 72°C për 15 minuta. Blegtorëve u rekomandohet të forcojnë masat e biosigurisë, të kufizojnë kontaktet ndërmjet tufave dhe të raportojnë menjëherë çdo simptomë të dyshimtë te veterineri zyrtar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)