Hidhen shtresat asfaltike, drejt përfundimit rruga e re që lidh Shqipërinë me Malin e Zi

Rruga e re që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe kalon përmes fshatit turistik të Shirokës po shkon drejt përfundimit. Kryeministri Edi Rama përmes disa fotove të publikuara në Facebook informon se është duke u hedhur shtresa e asfaltit në këtë aks rrugor.

04.01.2026. 16:29

Hidhen shtresat asfaltike, drejt përfundimit rruga e re që lidh Shqipërinë me Malin e Zi

Kryeministri Edi Rama përmes disa pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale ka njoftuar se rruga e re që lidh Shkodrën me Malin e Zi, përmes aksit Shirokë–Zogaj–Kufi, po shkon drejt përfundimit.

Teksa e cilëson si një investim me rëndësi të veçantë për zhvillimin e turizmit në rajon, Rama nënvizon se projekti do të shërbejë për të bashkuar ofertat turistike të dy zonave dhe për të rritur ndjeshëm aksesin, fluksin e vizitorëve dhe mundësitë ekonomike për komunitetin lokal.

“Drejt përfundimit rruga e re që lidh Shkodrën me Malin e Zi përmes rrugës Shirokë – Zogaj – Kufi, një investim që do të bashkojë ofertat turistike të dy zonave dhe do t’i japë një hov të ri zhvillimit të turizmit. Më shumë akses, më shumë vizitorë dhe më shumë mundësi për komunitetin lokal”, ka shkruar Rama.

Projekti për rikonstruksionin dhe përmirësimin e rrugës Shirokë–Zogaj–kufi Mali i Zi, si dhe ndërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura në këto zona, po zbatohet nga kompania ALB Star, e cila ka fituar kontratën me vlerë 4.7 milionë euro.

Shiroka dhe Zogaj, tashmë pjesë e qytetit të Shkodrës, ndodhen në pjesën verilindore të tij, në bregun e Liqenit të Shkodrës, respektivisht 5 dhe 10 kilometra larg qendrës. Rruga Shirokë–Zogaj do të jetë vazhdim i rrugës turistike Ura e Bunës–Shirokë dhe do të shtrihet në trupin e malit të Taraboshit, duke ofruar jo vetëm lehtësi për banorët, por edhe kushte më të mira për shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe turistike të zonës, si dhe lidhjen ndërkufitare me Malin e Zi, konkretisht me krahinën e Krajës.

Rruga e re do të ketë një gjatësi prej rreth 6.4 kilometrash dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të gjithë zonës përreth Liqenit të Shkodrës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)