Rikthimi i Veliajt në detyrë, Kushtetuesja zbulon pse “rrëzoi” qeverinë dhe Presidencën

Gjykata Kushtetuese ka bërë publik vendimin e 31 tetorit lidhur me çështjen e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke vendosur në favor të rikthimit të tij në detyrë.

12.01.2026. 20:42

Rikthimi i Veliajt në detyrë, Kushtetuesja zbulon pse “rrëzoi” qeverinë dhe Presidencën

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin që i hapi rrugë rikthimit të Erion Veliajt në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pasi shpalli antikushtetues shkarkimin e tij dhe procesin e shpalljes së zgjedhjeve të pjesshme vendore në kryeqytet.

Me një vendim të marrë me shumicë votash, trupa gjykuese shfuqizoi vendimin nr. 539, datë 25 shtator 2025 të Këshillit të Ministrave, i cili parashikonte shkarkimin e Veliajt nga detyra. Sipas Gjykatës, ky vendim nuk kishte respektuar kërkesat kushtetuese, pasi ishte i mbështetur vetëm në mungesën tremujore në detyrë, pa analizuar shkaqet konkrete, rrethanat dhe përgjegjësinë personale të kryebashkiakut.

Njëkohësisht, Gjykata Kushtetuese anuloi edhe dekretin nr. 350, datë 1 tetor 2025 të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore, në pjesën që lidhet me Bashkinë e Tiranës. Sipas arsyetimit të dhënë, ky dekret ka shkelur nenin 115, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Vendimi parashikon gjithashtu që pezullimi i efekteve juridike të dekretit presidencial për zgjedhjet në Tiranë të mbetet në fuqi deri në hyrjen përfundimtare në fuqi të vendimit të Gjykatës.

Çështja u shqyrtua në seancë plenare publike më 31 tetor 2025, nën drejtimin e kryetares së atëhershme të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve.

Kujtojmë se kërkesa ishte paraqitur nga Erion Veliaj, i përfaqësuar nga avokatët Alban Dokushi dhe Ermal Yzeiraj, ndërsa Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Ministrave morën pjesë si palë të interesuara në proces.

Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se mungesa e pandërprerë tremujore në detyrë mund të përbëjë shkelje të rëndë vetëm nëse provohet se ajo ka ardhur si pasojë e veprimeve ose mosveprimeve të vetë kryetarit të bashkisë. Në rastin konkret, sipas Gjykatës, Veliajt nuk i është atribuar asnjë përgjegjësi juridike për situatën e krijuar.

Gjykata nënvizon se “shkelja e rëndë” lidhet me mospërmbushjen thelbësore të detyrës me vullnetin e vetë funksionarit, duke pasur parasysh se kryetari i bashkisë është një organ ekzekutiv monokratik. Në mungesë të këtij elementi, shkarkimi është vlerësuar i pabazuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)