Protesta e opozitës ka nisur përpara Kryeministrisë, ku përfaqësues të Partisë Demokratike kanë mbajtur fjalime me akuza të forta ndaj qeverisë. Gjatë fjalës së tij, deputeti Besart Xhaferri u shpreh se pushteti aktual është i brishtë dhe mund të rrëzohet nga e vërteta. “Mjafton një shkëndijë e së vërtetës që ky pushtet prej fasade të shkrumbohet e të bjerë në tokë,” deklaroi ai.
Xhaferri akuzoi qeverinë për keqpërdorim të fondeve publike, duke theksuar se qytetarët nuk po përfitojnë nga taksat që paguajnë. “Paratë tuaja nuk shkojnë për shkolla më të mira, për spitale ku gjen shërim, as për rrugë e siguri publike. Shkojnë në xhepat e një grushti personash përmes tenderave sekretë dhe koncesioneve fantazmë,” u shpreh deputeti.
Ai theksoi gjithashtu se problemi kryesor në vend nuk është mungesa e burimeve, por korrupsioni. “Shqipëria nuk është e varfër, është e vjedhur. Nuk mund t’ia lëmë atdheun tonë atyre që e trajtojnë si plaçkë tregu,” tha Xhaferri.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme. “Duhet të shembim murin e pandëshkueshmërisë dhe të ngremë një rebelim kundër të keqes që na ka zënë frymën. Mos kini frikë nga makineria e tyre e propagandës,” përfundoi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)