“Prireni t’i nënvlerësoni pak njerëzit. Mendoni se keni monopolin e filozofisë dhe jeni trashëgimtarë të Platonit dhe të Aristotelit, por nuk jeni.”
Kjo frazë e kryeministrit Edi Rama drejtuar gazetarit grek që moderonte Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, ka ndezur reagime të shumta nga mediat në Greqi, të cilat nuk kanë kursyer as kritikat për shefin e qeverisë së Shqipërisë.
Pas debatit në Athinë për këtë çështje, pas 24 orësh ka reaguar vetë Rama duke shprehur habi sesi një batutë e tij me një gazetar nga fqinji ynë jugor, shndërrohet dhe shkëputet nga konteksti për t’u kthyer në një polemikë me tone nacionaliste.
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi! Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!”, shkruan Rama në një postim në platformën ‘X’.
Rama sqarimin e tij vijon duke e cilësua popullin grek, vëlla, dhe nënvizon se është i bindur për vlerat e qytetërimit të lashtë helen.
“Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!”, shpjegon kryeministri.
E në fund një pyetje me një përgjigje brenda nga kreu i ekzekutivit shqiptar për të gjithë kritikët në Athinë.
“U kuptuam? Shpresoj po”, shprehet ai, ndërsa nënvizon se ata që bëjnë nacionalistin pas batutave të tij, nuk i duken aspak si pasaardhës të dy korifejeve të filozofisë që përmendi në batutën e bërë në Abu Dhabi.
“Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit! Kaq.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)