Moti i keq pezullon lundrimin në Sarandë, anulohet linja e tragetit me Korfuzin

Ndalimi përfshin mjetet turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla në të gjithë gjirin dhe zonën bregdetare të Sarandë, Ksamil dhe Borsh.

17.02.2026. 09:10

Moti i keq pezullon lundrimin në Sarandë, anulohet linja e tragetit me Korfuzin

Kapiteneria e Portit në Sarandë ka njoftuar ndalimin e përkohshëm të daljes në det të të gjitha mjeteve lundruese, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe detare.

Sipas njoftimit zyrtar, erërat me intensitet të lartë dhe dallgëzimi që arrin deri në 6 ballë sipas shkallës Beaufort kanë bërë të pamundur lundrimin e sigurt.

Si pasojë, për ditën e sotme është pezulluar dhënia e lejeve për çdo mjet lundrues. Ndalimi përfshin mjetet turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla në të gjithë gjirin dhe zonën bregdetare të Sarandë, Ksamil dhe Borsh.

Gjithashtu, është anuluar përkohësisht edhe lundrimi i trageteve në linjën Sarandë–Korfuz dhe anasjelltas. Lëvizja e tyre do të rinisë vetëm pas një njoftimi të dytë nga autoritetet portuale.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese dhe qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet deri në përmirësimin e kushteve të motit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)