I vendosën 2 milionë euro gjobë, “pazari” u ul në 500 mijë euro: Dinamika dhe emrat e personave që rrëmbyen biznesmenin

Pasi e mbajtën peng dhe e dhunuan, autorët e liruan në mëngjes me kushtin që të siguronte shumën e kërkuar. Ndërtuesi i denoncoi menjëherë në polici.

13.04.2026. 15:32

I vendosën 2 milionë euro gjobë, “pazari” u ul në 500 mijë euro: Dinamika dhe emrat e personave që rrëmbyen biznesmenin

Zbardhen detaje të reja nga rrëmbimi i ndërtuesit F. Sula, 32 vjeç. Më 31 mars, ai u morr peng nga tre persona që fillimisht i kërkuan 2 milionë euro për ta lënë të lirë. Sipas burimeve, biznesmeni është mbajtur peng gjatë gjithë natës në një magazinë në Xhafzotaj të Durrësit, ku edhe është dhunuar fizikisht nga autorët.

Fillimisht, rrëmbyesit i kanë kërkuar shumën prej 2 milionë eurosh, por pas refuzimit të tij, kërkesa është ulur në 1 milion euro. Më tej, pasi viktima deklaroi se nuk dispononte shuma të tilla, rrëmbyesit i kërkuan 500 mijë euro në këmbim të lirisë.

Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, ku biznesmeni po konsumonte një kafe. Sapo është larguar nga lokali dhe ka hyrë në një rrugicë, tre autorët i janë afruar të maskuar dhe të pajisur me syze. Ata janë prezantuar si agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke e mashtruar dhe duke e detyruar të hipte në automjet.

Pasi e mbajtën peng dhe e dhunuan, autorët e liruan në mëngjes me kushtin që të siguronte shumën e kërkuar. Menjëherë pas lirimit, F. Sula ka shkuar në polici dhe ka bërë denoncim të plotë, duke vënë në lëvizje autoritetet. Policia e Tiranës ka arrestuar sot dy nga autorët e dyshuar.

Ata janë Hysen Neza, 33 vjeç dhe Kevin Neza, 25 vjeç. Ndërkohë është shpallur në kërkim Jurgen Neza, 28 vjeç, i cili është vëllai i Kevinit. Sipas policisë, tre autorët janë persona me precedentë penalë për vjedhje dhe konflikte të ndryshme, ndërsa dyshohet se janë edhe përdorues të lëndëve narkotike.

Identifikimi i tyre është bërë përmes kamerave të sigurisë, pasi autorët kanë qenë të maskuar dhe të veshur me të zeza gjatë gjithë kohës. Burime bëjnë me dije se rrëmbyesit kishin marrë informacione nga persona të tjerë ende të paidentifikuar, se ndërtuesi mund të mbante shuma të mëdha parash. Hetimet vijojnë për kapjen e autorit të tretë dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)