SPAK, për dosjen ku dyshohet për abuzime me tenderat publikë, ka lëshuar urdhërarrest për biznesmenin Ergys Agasi, ndërsa është caktuar masa arrest shtëpie për Mirlinda Karçanaj, drejtuese e AKSH-it.
Në të njëjtën çështje, SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”.
Hetimet janë intensifikuar prej disa muajsh, ndërsa në qershor, me urdhër të SPAK, janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambientet e biznesit të Ergys Agasit. Dy grupe të agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetura nga Policia e Shtetit, kontrolluan katër objekte në Durrës dhe Tiranë, përfshirë banesa dhe zyra biznesi në pronësi të tij.
Mirlinda Karçanaj është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për dyshime mbi paracaktimin e procedurave tenderuese. Më 3 dhjetor, ajo qëndroi për më shumë se tre orë në ambientet e SPAK, por u largua pa dhënë deklarata për mediat.
Sipas SPAK, po hetohen 12 procedura tenderuese me vlera të larta financiare, kryesisht për mirëmbajtjen e serverëve të institucioneve shtetërore. Dyshohet se kriteret janë përcaktuar nga vetë kompanitë pjesëmarrëse.
Në kuadër të hetimeve, janë marrë në pyetje rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të komisioneve të vlerësimit dhe shqyrtimit të ankesave, ndërsa SPAK pritet të zbardhë plotësisht rolin e secilit person në këtë skemë të dyshuar abuzimi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)