Kryeministri Edi Rama ka kritikuar hapur Komisionerin për të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi, për mosaplikimin e sanksioneve ndaj institucioneve dhe zyrtarëve të lartë që nuk u përgjigjen kërkesave të qytetarëve brenda afatit ligjor prej 10 ditësh. Gjatë një takimi mbi transparencën dhe të drejtën e informimit, Rama theksoi se ligji është i qartë dhe në ditën e 11 pas kërkesës pa përgjigje duhet të aplikohet sanksioni ndaj ministrave, sekretarëve të përgjithshëm dhe institucioneve përkatëse.
“Ja kam bërë Komisionerit një vërejtje për mungesën e sanksioneve për autoritetet më të larta. Ligji thotë 10 ditë është koha për t’u përgjigjur. Në ditën e 11, nëse nuk ka përgjigje, duhet të vendosen sanksione dhe kjo duhet të përfshijë edhe ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm,” tha Rama.
Ai nënvizoi se vendosja e sanksioneve do të krijojë një ndjesi urgjence dhe do të përmirësojë funksionimin e brendshëm të administratës, duke ulur praktikën e mbajtjes së informacionit pa u shpërndarë.
Kryeministri kujtoi gjithashtu rastet kur sanksionet kanë funksionuar, si për shembull frena ndaj zaptimit të trotuareve dhe parkimeve të paligjshme nga deputetë dhe ministra. “Ku janë sot ato makina që shkelin semaforin apo zaptuan trotuaret? U vendosën sanksione dhe u gjobitën, loja e parkimit mbaroi,” tha Rama.
Ai foli gjithashtu për projektin “Transparencë Albania”, një iniciativë ambicioze për të vendosur informacionin publik në një territor virtual, duke e bërë më të lehtë qasjen dhe gjetjen e tij nga qytetarët.
Në fushën e medias, Rama njoftoi një hap të ri drejt lirisë së fjalës, duke deklaruar se qeveria do të përjashtojë gazetarët nga ligji për shpifjen. “Kemi marrë angazhim që të dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët. Ky është një hap drejt fjalës së lirë,” tha Kryeministri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)