Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me nga 56 muaj burg secili pasi u shpallën fajtorë për një seri vjedhjesh të organizuara në disa zona të Anglisë, përfshirë edhe shtëpinë e një ish-futbollisti të Aston Villa dhe Birmingham City.
Denis Puka, 28 vjeç, dhe Erisjan Laska, 29 vjeç, së bashku me një person të tretë ende të paidentifikuar, kryen vjedhje gjatë tre netëve radhazi në qershor të vitit të kaluar.
Gjykata e Kurorës në Chester dëgjoi se grupi kishte marrë me qira një apartament Airbnb në Warrington, të cilin e përdornin si bazë për të kryer grabitjet. Ata udhëtonin me një automjet Seat Leon të sjellë nga Sheffield, të pajisur me targa false, dhe përdornin maska, mjete për thyerje si dhe radio komunikimi.
Mes pronave të shënjestruara ishte edhe shtëpia e futbollistit Scott Hogan në Northwich, ku ai ndodhej bashkë me bashkëshorten shtatzënë dhe vajzën e tij të vogël. Hogan u zgjua nga drita e një pishtari që ndriçonte dritaren e dhomës së gjumit, ndërsa grabitësit u larguan me vrap pasi u zbuluan. Edhe pse nga kjo banesë nuk u mor asgjë, futbollisti deklaroi se ngjarja i kishte shkaktuar ankth dhe net pa gjumë.
Në raste të tjera, të pandehurit hynë në banesa në Blackpool, Grappenhall dhe Knutsford, duke u larguar kryesisht pa plaçkë. Megjithatë, nga një vilë në Northwich ata vodhën një orë Breitling dhe një Rolex, me vlerë rreth 9 mijë paund.
Gjykatësi Steven Everett e cilësoi operacionin si “të sofistikuar dhe të planifikuar mirë”, duke theksuar traumën e shkaktuar viktimave. Të dy të pandehurit pranuan fajësinë për shtatë akuza për komplot për vjedhje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)