Paralajmërohet mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri, Albin Kurti: Hekurudha, prioritet

Albin Kurti theksoi në takimin me ministren Spiropali për rëndësinë e bashkërendimit të politikës së jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë dhe rikthimin e mbledhjeve të dy qeverive.

25.02.2026. 21:55

Paralajmërohet mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri, Albin Kurti: Hekurudha, prioritet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në një takim ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila zhvilloi një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku u takua me disa nga krerët e shtetit.

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti informon se në takimin me Spiropalin diskutoi për mundësinë e mbajtjes të një tjetër mbledhje mes dy qeverive dhe rëndësinë që ka koordinimi dypalësh në politikën e jashtme.

Kreu i qeverisë, shtoi se në fokus të këtij mandati do të jetë ndërtimi i hekurudhës, Gjakovë–Shkodër në kuadër të projektit Prishtinë-Durrës.

“Kënaqësi të prisnim në Zyrën e Kryeministrisë ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali.

Hekurudha Gjakovë–Shkodër në kuadër të projektit Prishtinë-Durrës do të jetë prioritet i këtij mandati, me synimin që puna për ndërtimin e saj të nisë sa më parë. Ky investim strategjik në infrastrukturën hekurudhore do të forcojë lidhjet ekonomike mes dy vendeve, do të rrisë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve dhe do të kontribuojë në zhvillimin rajonal, duke afruar edhe më tej qytetarët tanë.

Po ashtu, në takim theksuam rëndësinë e vazhdimit të mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare gjatë vitit 2026, si dhe nevojën për koordinim më të madh në politikën e jashtme dhe në forume ndërkombëtare. Bashkëpunimi i ngushtë për diasporën shqiptare, veçanërisht në promovimin e gjuhës dhe kulturës te gjeneratat e reja, mbetet prioritet i përbashkët dhe një faktor kyç për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të të dy shteteve”, shkruan Kurti.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)