Në seancën e kësaj të hëne në Kuvend kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u përplas në debat me kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla.
Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Bardhi iu përgjigj thirrjes së Ballës që opozita të distancohet nga aktet e dhunës gjatë protestës së opozitës. Ai deklaroi se opozita distancohet nga “dhuna e korrupsionit” dhe nga politikanët që, sipas tij, janë të lidhur me krimin e organizuar.
Sipas Bardhit, mazhoranca duhet të japë shembull duke u distancuar nga korrupsioni, duke përmendur konkretisht zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Ai kërkoi heqjen e imunitetit të saj dhe përballjen me drejtësinë “si qytetare e barabartë para ligjit”.
Bardhi theksoi se Shqipëria nuk vuan nga simbolikat, por nga ajo që ai e cilësoi si themeli i kësaj qeverisjeje: korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ai shtoi se opozita nuk ka informacion mbi vendimmarrjet e qeverisë për pronat publike dhe pretendoi se kalimi i një prone publike tek një fondacion francez u bë i ditur vetëm pas protestës së 28 shkurtit.
Në fund, Bardhi deklaroi se nëse mazhoranca do të distancohej nga korrupsioni dhe do të merrte masa konkrete, atëherë, sipas tij, “me gjasë nuk do të kishte nevojë për protesta”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)