Berisha nga Durrësi: Qeveria ka kthyer korrupsionin në sistem

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të martë një takim me mbështetësit në Durrës, ku artikuloi akuza të forta ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.

03.03.2026. 19:53

Berisha nga Durrësi: Qeveria ka kthyer korrupsionin në sistem

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të martë një takim me mbështetësit në Durrës, ku artikuloi akuza të forta ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Në fjalën e tij, Berisha u ndal te çështjet e infrastrukturës, përmbytjet dhe rindërtimi pas tërmetit, duke e cilësuar korrupsionin si “sistem” të ngritur nga mazhoranca.

Duke iu referuar situatës në Durrës dhe zonat përreth, ai ngriti pyetje mbi përgjegjësitë për dëmet nga përmbytjet dhe shembjet e rrugëve. Sipas Berishës, lejet për gërryerjen e shtratit të Shkumbin kanë ndikuar në dëmtimin e infrastrukturës ekzistuese, përfshirë rrugë dhe hekurudhë, ndërsa pretendoi se edhe një tunel i shembur është mbajtur i fshehtë nga autoritetet. “Të gjitha rrugët u shembën dhe askush nuk mban përgjegjësi”, u shpreh ai, duke akuzuar për lidhje korruptive mes sipërmarrësve dhe zyrtarëve.

Berisha solli në vëmendje edhe ndërtimet e dëmtuara nga tërmeti, duke pretenduar se cilësia e dobët e materialeve ka ardhur si pasojë e korrupsionit dhe mungesës së kontrollit ligjor. Ai tha se asnjë sipërmarrës nuk është vënë para drejtësisë për këto çështje.

Në vijim, kreu i PD-së hodhi akuza edhe ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për të cilën pretendoi se zotëron pasuri të shumta të pajustifikuara. Sipas tij, kryeministri Rama po e mbron atë duke mos lejuar heqjen e imunitetit.

Berisha theksoi se integrimi europian nuk mund të ecë përpara nëse, sipas tij, qeveria vijon të shmangë përgjegjësitë. Ai akuzoi Ramën dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç se po dëmtojnë perspektivën europiane të vendit, duke shtuar se “Shqipëria nuk mund të mbetet peng i korrupsionit”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)