"Dhunë shtazarake ndaj protestuesve të arrestuar", Berisha akuza policisë dhe thirrje për bashkim frontit opozitar

Në një komunikim online me qytetarët, Berisha dënoi ashpër ndërhyrjen e forcave të rendit, të cilat ndalën ‘grupin e molotovit’ menjëherë pas përfundimit të fjalës së kryedemokratit në podium, duke e cilësuar inkursionin e policisë të organizuar dhe të qëllimshëm.

18.04.2026. 13:23

"Dhunë shtazarake ndaj protestuesve të arrestuar", Berisha akuza policisë dhe thirrje për bashkim frontit opozitar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pak orë pas protestës kombëtare të opozitës, duke u ndalur veçanërisht te dhuna e ushtruar ndaj protestuesve dhe arrestimet e kryera nga policia.

Në një komunikim online me qytetarët, Berisha dënoi ashpër ndërhyrjen e forcave të rendit, të cilat ndalën ‘grupin e molotovit’ menjëherë pas përfundimit të fjalës së kryedemokratit në podium, duke e cilësuar inkursionin e policisë të organizuar dhe të qëllimshëm.

“Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës”, tha Berisha.

Ai më tej akuzoi policinë për përdorimin e pajisjeve të rrezikshme ndaj qytetarëve.

“Në mënyrë të programuar ata përdorën një armë me fuqi të njohur letale siç është spraji kundër ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut. Përdorimi i këtij spraji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat”, deklaroi kreu i PD.

Sipas tij, ndërhyrja ka qenë selektive dhe e drejtuar ndaj figurave kryesore të opozitës dhe këtu Berisha përmendi Klevis Balliun, Luçiano Boçin, Flamur Nokën e Aulon Kalanë.

“Në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me spraj drejtuesit kryesorë të PD dhe deputetët e saj. Aulon Kalaja, pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja”, theksoi ai.

Duke folur për 11 protestuesit e arrestuar dhe 15 të tjerë nën hetim, Berisha deklaroi se bëhet fjalë për ndalime me motiv politik. “Demokratët mbahen në qeli për qëllime politike dhe pa asnjë fakt”, tha ai.

Teksa e konsideroi situatën si pjesë të një përpjekjeje për të goditur opozitën, ai shtoi se deputetët dhe avokatët e PD kanë ndjekur situatën deri në orët e para të mëngjesit.

“Kam dijeni të plotë, deri në 4 të mëngjesit deputetët dhe avokatët tanë kanë qenë në komisariate dhe ndjekin rastet. Imagjinoni pak nëse ne, opozitë kryesore e vendit, do të vraponim në studio televizive kundër qeverisë. Kjo nuk mund të jetë aspekti kryesor i veprimtarisë së opozitës. Veprimi është aspekti kryesor”, këmbënguli Berisha.

Në përfundim, kreu i PD theksoi se përshkallëzimi i aksionit opozitar mbetet i pashmangshëm, pavarësisht frikës që, sipas tij, ekziston te qytetarët. Po ashtu Berisha përsëriti edhe thirrjen për bashkim të opozitës.

“Mes heshtjes dhe përballjes me regjimin, kjo e dyta është jetike. Ne nga protesta nuk heqim dorë kurrë. Do të bëjmë gjithçka për tu bashkuar me forcat e tjera opozitare. I bëj thirrje të bashkohemi, është koha të bashkohemi kundër një armiku të egër. I bëj thirrje shoqërisë civile që ka mbetur jashtë kontrollit të Edi Ramës, të bashkohen me ne. Shihni cfarë qëndrimi mizor mbajtën ndaj Aulon Kalasë që në cdo protestë ka protestuar miqësisht dhe me dinjitet. I bëj thirrje intelektualëve dilni nga konformizmi juaj se është shkatërrimtar. Duhet ti dilni zot vendit tuaj se po shkatërrohet”, nënvizoi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)