Probleme me “e-Albania”, Bashkia e Tiranës shtyn afatin për kreditë e buta

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, deklaroi se afati i ri për aplikime do të jetë data 22 maj, ndërsa nuk përjashtohet mundësia për shtyrje të tjera nëse problematikat vazhdojnë.

12.05.2026. 19:51

Probleme me “e-Albania”, Bashkia e Tiranës shtyn afatin për kreditë e buta

Bashkia e Tiranës ka vendosur të zgjasë afatin e aplikimeve për programin e kredive të buta për banesa, pas ndërprerjes së funksionimit të portalit “e-Albania” gjatë datave 15-18 maj. Vendimi u bë i ditur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku u theksua se qytetarët nuk do të penalizohen për shkak të problemeve teknike të platformës online.

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, deklaroi se afati i ri për aplikime do të jetë data 22 maj, ndërsa nuk përjashtohet mundësia për shtyrje të tjera nëse problematikat vazhdojnë.

“Procesi i aplikimit për kreditë e buta ka nisur më 20 prill dhe ishte parashikuar të mbyllej më 19 maj. Por, për shkak të njoftimit të portalit ‘e-Albania’ për mosfunksionimin gjatë datave 15-18 maj, këto ditë do të kompensohen dhe afati i ri do të jetë 22 maji”, u shpreh Ristani.

Sipas saj, deri tani janë regjistruar rreth 2600 aplikime online përmes portalit qeveritar.

Ristani garantoi gjithashtu se Bashkia do të marrë masa shtesë nëse do të ketë nevojë për një tjetër shtyrje të afatit, me qëllim që asnjë aplikant të mos mbetet jashtë skemës për arsye teknike.

“Asnjë qytetar që do të përpiqet të bëhet pjesë e këtij programi nuk do të pengohet nga problemet teknike. Çdo ditë që ‘e-Albania’ nuk do të funksionojë do të kompensohet me kohën e nevojshme për aplikim”, theksoi ajo.

Programi i kredive të buta synon të lehtësojë blerjen e një banese për individë dhe familje në Tiranë. Përfituesit pritet të jenë rreth 1500 familje dhe individë, ndërsa aplikimet kryhen ekskluzivisht online.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Vasilika Vjerro, sqaroi se skema subvencionon interesat bankare mbi normën 3%, ndërsa vlera e kredisë përcaktohet sipas përbërjes familjare dhe tipologjisë së banesës.

Sipas kategorive të përfitimit, individët që aplikojnë për garsoniere mund të përfitojnë deri në 5.8 milionë lekë, çiftet për apartamente 1+1 deri në mbi 7.1 milionë lekë, ndërsa familjet me 3-4 anëtarë mund të marrin deri në 10.5 milionë lekë për banesa 2+1. Për familjet me pesë ose më shumë anëtarë, kredia arrin deri në rreth 13 milionë lekë.

Një nga kriteret bazë për aplikim mbetet mosha mbi 18 vjeç, ndërsa niveli minimal i të ardhurave është përcaktuar në 44,400 lekë, sipas pagës minimale të miratuar me VKM.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)