Kina nis zyrtarisht epokën e taksive fluturuese

Dy kompani kineze kanë marrë licenca për operim komercial të dronëve autonomë për pasagjerë nga Administrata e Aviacionit Civil, duke hapur rrugën për përdorimin e taksive fluturuese në botë.

04.02.2026. 19:40

Kina nis zyrtarisht epokën e taksive fluturuese

Kina ka dhënë licencat e para komerciale në botë për taksitë fluturuese autonome, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt fluturimeve urbane.  Administrata e Aviacionit Civil të Kinës ka dhwnw leje për dy kompani vendase: EHang Holdings dhe Autoflight. Ato do tw jenw nw gjendje të fillojnw operacionet komerciale me aeroplanë elektrikë me ngritje dhe ulje vertikale autonome.

Kjo nismë shënon fillimin e asaj që Kina e quan “epoka e re e ekonomisë në lartësi të ulët”, me ambicie për të udhëhequr në një sektor që në shumë vende është ende në faza eksperimentale. Plani është që ky biznes të arrijë në rreth 280 miliardë dollarë prodhim vjetor deri në vitin 2030.

EHang, me bazë në Guangzhou, mori certifikatën e tipit për modelin EH216-S në tetor 2023 dhe certifikatën e prodhimit në prill 2024. Më 28 dhjetor 2025, Administrata e Aviacionit Civil të Kinës i dha kompanisë lejen e operimit, duke mundësuar fluturime me pasagjerë në hapësirat e caktuara ajrore.

“Ky nuk është vetëm një moment historik për EHang, por edhe një hap i rëndësishëm për industrinë globale të eVTOL,” deklaroi Huazhi Hu, themelues dhe administrator i EHang. Autoflight, me qendër në Shanghai, gjithashtu konfirmoi miratimin për dronin e ngarkesave V400 Albatross, me plane për të zgjeruar shërbimet për pasagjerë përmes filialit të saj, Autoflight X.

Sipas mediave shtetërore, tregu i transportit në lartësi të ulët mund të arrijë 1 trilion juanë (rreth 139 miliardë dollarë) në vit deri në 2030. Të dy kompanitë planifikojnë të nisnin shërbime pilote në qytete si Guangzhou dhe Shenzhen, me zgjerime të mundshme në zona turistike dhe rrugë transporti në ishuj.

Rregullatorët kinezë kanë vepruar më shpejt se homologët e tyre në SHBA dhe Europë, ku kompanitë si Joby Aviation, Lilium dhe Volocopter janë ende në testime fluturimi dhe certifikim. FAA amerikane ka paralajmëruar se operacionet komerciale me eVTOL për pasagjerë nuk priten para vitit 2028.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)