“Gjyq historik për shëndetin e të miturve”: Çështja “Rrjetet sociale”, Zuckerberg dëshmon në gjykatë

Procesi do të analizojë nëse kompanitë kanë projektuar qëllimisht ndërfaqet dhe algoritmet për të nxitur përdorim kompulsiv te të rinjtë, duke kontribuar në rritjen e rasteve të depresionit, ankthit dhe çrregullimeve ushqimore.

18.02.2026. 17:08

“Gjyq historik për shëndetin e të miturve”: Çështja “Rrjetet sociale”, Zuckerberg dëshmon në gjykatë

Themeluesi dhe administratori i platformës “Meta”, Mark Zuckerberg do të dalë para një jurie në Kaliforni, në një proces që po cilësohet si një moment kyç për industrinë globale të rrjeteve sociale. Çështja synon të përcaktojë nëse gjigantët e teknologjisë kanë krijuar qëllimisht “varësi” pas platformave të tyre te të miturit. Procesi do të ndihmojë të kuptohet nëse kjo është bërë me qëllim për të maksimizuar fitimet, duke neglizhuar rreziqet për shëndetin mendor.

Kompania “Meta” kontrollon Facebook, Instagram dhe WhatsApp. Sipas paditësve, procesi përqendrohet në dëmet psikologjike dhe në varësinë që shkaktohen nga algoritmet dhe dizajni i këtyre platformave. Vendimi i jurisë mund të krijojë precedent ligjor për mijëra padi të tjera të ngritura nga familje amerikane kundër kompanive të mëdha të teknologjisë.

Edhe pse Zuckerberg ka dëshmuar më parë para Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kjo është hera e parë që ai përballet drejtpërdrejt me një juri në gjykatën e zakonshme, për çështje që lidhen me sigurinë e të miturve. Që në fazën e përzgjedhjes së jurisë në Los Angeles, avokatët e “Meta”-s janë munduar të përjashtojnë kandidatë që konsideroheshin tepër kritikë ndaj drejtuesit të kompanisë.

Juria e përbërë nga 12 persona do të dëgjojë dëshmitë deri në fund të marsit, për të vendosur nëse YouTube, i cili është në pronësi të Google dhe Instagram, mbajnë përgjegjësi për problemet e shëndetit mendor të një vajze të re nga Kalifornia. Sipas padisë, problemet e saj kanë ardhur sepse ka përdorur intensivisht rrjetet sociale që në fëmijëri. Procesi do të analizojë nëse kompanitë kanë projektuar qëllimisht ndërfaqet dhe algoritmet për të nxitur përdorim kompulsiv te të rinjtë, duke kontribuar në rritjen e rasteve të depresionit, ankthit dhe çrregullimeve ushqimore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)