NASA ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në programin e saj Artemis, duke shtuar një mision përpara se të realizojë uljen e parë të astronautëve në Hënë pas gati gjysmë shekulli.
Plani fillestar ishte të fluturohej rreth Hënës me misionin Artemis II, i cili aktualisht është planifikuar për në prill, dhe më pas të përpiqej ulja në Hënë me Artemis III në vitin 2028.
Tani ky mision do të zhvillohet fillimisht në orbitën e ulët të Tokës në vitin 2027, për të testuar manovrat e bashkimit me një modul uljeje hënore.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi se ky hap shtesë është i nevojshëm për të shmangur boshllëqet e gjata mes lëshimeve dhe për të ulur rreziqet teknike. Ai theksoi se testimi i kapsulës Orion dhe i modulit të uljes në orbitë të Tokës është më i sigurt sesa prova e parë të bëhet drejtpërdrejt në Hënë.
Ndërkohë, lëshimi i Space Launch System për misionin Artemis II është shtyrë për në prill, pas zbulimit të një rrjedhjeje heliumi. Raketa është kthyer në Qendrën Hapësinore Kennedy për riparime.
Një sfidë tjetër mbetet përzgjedhja e modulit të uljes. Kompania SpaceX e Elon Muskut ka kontratë për ndërtimin e tij me raketën Starship, por vonesat kanë shtyrë NASA-n të kërkojë alternativa edhe nga Blue Origin e Jeff Bezosit.
Shtetet e Bashkuara synojnë të rikthehen në Hënë deri në vitin 2028, mes garës në rritje me Kinën për zonat strategjike në polin jugor hënor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)