Pas pothuajse tre vitesh testim, Policia Federale e Austrisë ka vendosur të ndërpresë projektin pilot për përdorimin e makinave elektrike në patrullime. Ministria e Brendshme ka pezulluar zyrtarisht projektin “Tron”, pas një sërë problematikash të raportuara nga efektivët në terren. Sipas autoriteteve, automjetet elektrike kanë rezultuar të papërshtatshme për nevojat e përditshme të policisë.
Ndalesat e gjata për karikim, autonomia e kufizuar dhe nevoja për të pasur automjete rezervë kanë ndikuar negativisht në operacionet e patrullimit. Lënia e makinës në stacionin e karikimit për periudha të gjata nënkupton më pak prezencë në terren dhe rrezik më të lartë në situata emergjente. Për këtë arsye, automjetet elektrike do të përdoren në të ardhmen vetëm për detyra administrative dhe jo për ndërhyrje operative.
Projekti “Tron” parashikonte integrimin e 24 automjeteve elektrike në flotën e Bundespolizei. Automjetet elektrike u përdorën kryesisht në Vienë dhe në disa rajone si Tirol dhe Stiria. Edhe pse kanë teknologji të avancuar dhe performancë të lartë, automjetet nuk arritën të përmbushin kërkesat praktike të punës policore. Të paktën për momentin, sipas vendimit të Ministrisë së Brendshme, makinat elektrike nuk janë zgjidhja ideale për patrullimet e përditshme në Austri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)