“Hera e fundit që sillesh si i fortë”, Trump – Maduros: Bëhu i zgjuar dhe tërhiqu tani

Në kulmin e tensioneve mes Amerikës dhe Venezuelës, Presidenti Donald Trump i dërgoi një mesazh Nicolas Maduros, duke thënë se do të ishte lëvizje “e zgjuar” që presidenti i Venezuelës të largohej nga pushteti sa nuk është vonë.

Burimi: NEWSMAX

23.12.2025. 11:02

“Hera e fundit që sillesh si i fortë”, Trump – Maduros: Bëhu i zgjuar dhe tërhiqu tani

I pyetur nga gazetarët në shtëpinë e tij në Florida nëse kërcënimet e Uashingtonit synonin ta detyronin Maduron të largohej nga detyra pas 12 vitesh, Trump tha: “Kjo varet nga ai, çfarë dëshiron të bëjë”.

“Mendoj se do të ishte e zgjuar që ta bënte këtë. Nëse ai dëshiron të bëjë diçka. Nëse sillet si i fortë, do të jetë hera e fundit që do të jetë në gjendje të sillet si i fortë”, shtoi Trump.

Deklarata e ashpër e Trump vjen në një kohë kur forcat detare amerikane kanë ndërmarrë një bllokadë ndaj eksporteve të naftës së shtetit të Amerikës së Jugut.

Aleati kryesor i Venezuelës, Moska, shprehu megjithatë mbështetjen e plotë për qeverinë e Maduros, ndërsa Uashingtoni ka intensifikuar operacionet ushtarake dhe kërcënimet kundër Karakasit.

Kremlini reagoi në prag të një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të zhvillohet sot për të diskutuar krizën në marrëdhëniet SHBA-Venezuelë.

Në një bisedë telefonike, ministrat e jashtëm të dy vendeve aleate kritikuan veprimet e SHBA-së, të cilat kanë përfshirë sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge dhe, së fundmi, sekuestrimin e dy cisternave të naftës.

“Ministrat shprehën shqetësimin e tyre të thellë për përshkallëzimin e veprimeve të Uashingtonit në Detin e Karaibeve, të cilat mund të kenë pasoja serioze për rajonin dhe të kërcënojnë lundrimin ndërkombëtar. Pala ruse riafirmoi mbështetjen dhe solidaritetin e saj të plotë me udhëheqjen dhe popullin venezuelian në kontekstin aktual”, tha Ministria e Jashtme ruse për bisedën mes Sergei Lavrovit dhe homologut venezuelian Yvan Gil.

Sakaq, nën urdhrat e Trumpit, forcat amerikane që nga shtatori kanë ndërmarrë sulme ndaj anijeve që Uashingtoni pretendon se po trafikojnë drogë në Karaibe dhe në Oqeanin Paqësor lindor. Më shumë se 100 persona janë vrarë, disa prej tyre peshkatarë, sipas familjeve dhe qeverive të tyre.

Javën e kaluar, Trump njoftoi gjithashtu një bllokadë ndaj anijeve të naftës të sanksionuara që lundrojnë drejt dhe nga Venezuela. Trump pretendon se Karakasi nën udhëheqjen e Maduros po përdor të ardhurat nga nafta për të financuar “terrorizmin e drogës, trafik njerëzor, vrasje dhe rrëmbime”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)