Lajmi i arrestimit të Nicolás Maduro ka bërë që të shpërthejë festa e venezuelianëve nëpër botë. Nga qytetet në Venezuelë, për të vijuar me New York dhe Miami, dhjetëra njerëz me flamuj u mblodhën për të festuar lirinë nga diktatura. Gjithashtu, rrugët e Santiagos në Kili u mbushën menjëherë me njerëz entuziastë pas lajmit të arrestimit të ish-presidentit.
Qindra qytetarë venezuelianë që jetojnë në Kili u mblodhën prej orëve të para të mëngjesit për të shprehur publikisht emocionet e tyre pro ndërhyrjes amerikane. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, manifestimet janë shoqëruar me brohoritje, duartrokitje dhe përdorimin e vuvuzelave, duke e kthyer disa zona qendrore të kryeqytetit kilian në vende grumbullimi për diasporën venezueliane.
Festime të ngjashme janë regjistruar edhe në Lima të Perusë, ku dhjetëra venezuelianë u mblodhën para ambasadës për të festuar arrestimin e Maduro-s nga Shtetet e Bashkuara. Skena të përafërta janë parë edhe në Guatemala, në Madrid të Spanjës, brenda një restoranti venezuelian.
Ndërkohë, qeveria venezueliane ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare pas asaj që e cilëson si sulm nga Amerika. Sipas analistëve, bëhet fjalë për ndërhyrjen më të fortë të Shteteve të Bashkuara në Amerikën Latine që nga koha e krizës së Panamasë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)