Delcy Rodriguez merr mandatin presidencial, zgjedhjet në Venezuelë pas 6 muajsh

Vjen konfirmimi nga Gjykata e Lartë, ish-krahu i djathtë i Maduro-s do të drejtojë përkohësisht vendin, pas arrestimit të presidentit.

05.01.2026. 18:22

Delcy Rodriguez merr mandatin presidencial, zgjedhjet në Venezuelë pas 6 muajsh

Gjykata e Lartë e Venezuelës i ka dhënë zyrtarisht mandatin presidencial të përkohshëm, prej 90 ditësh, Delcy Rodriguez, ish-krahut të djathtë të Nicolás Maduro-s. Vendimi bazohet në nenin 234 të Kushtetutës venezuelane dhe synon garantimin e vazhdimësisë institucionale të shtetit.

Sipas vendimit, pas përfundimit të afatit tre mujor, mandati i Rodriguez-it mund të zgjatet edhe për tre muaj të tjerë, por vetëm me miratimin e Asamblesë Kombëtare. Në përfundim të kësaj periudhe gjashtëmujore, nëse Maduro nuk do të jetë rikthyer në vend, Parlamenti mund të shpallë “vakancë absolute” të postit presidencial, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja brenda 30 ditësh.

Megjithatë, për momentin Gjykata e Lartë ka shmangur një qëndrim të prerë mbi këtë skenar, duke e cilësuar arrestimin e Maduro-s si një “mungesë të detyruar”, e cila sipas saj nuk përbën arsye të mjaftueshme për të shkuar menjëherë në zgjedhje. “Qëllimi është të garantohet vazhdimësia administrative e shtetit dhe mbrojtja e kombit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Kushtetuta venezuelane parashikon si “mungesa absolute” të presidentit vetëm raste specifike, si vdekja, dorëheqja, shkarkimi me vendim të Gjykatës së Lartë, paaftësia e përhershme fizike ose mendore, braktisja e detyrës e shpallur nga Asambleja Kombëtare, apo revokimi popullor i mandatit. Vendimi i Gjykatës hap kështu një fazë tranzitore politike në Venezuelë. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)