Një delegacion nga Danimarka dhe Groenlanda u mirëprit sot në Shtëpinë e Bardhë, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump përsëriti dëshirën e tij për të marrë kontrollin e ishullit të madh Arktik.
Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen dhe homologia e tij nga Groenlanda, Viviane Motzfeldt u larguan nga Shtëpia e Bardhë pak para orës 12:00, sipas një fotografi të AFP-së.
Ata kishin mbërritur një orë e gjysmë më parë për bisedime me Zëvendëspresidentin e SHBA-së J. D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Nuk pati një deklaratë të përbashkët mbi rezultatin e bisedimeve, por Ministri i Jashtëm danez i përshkroi bisedimet si të sinqerta dhe produktive.
"Ne pajtohemi që nuk jemi dakord", tha Rasmussen dhe njoftoi se Danimarka, Groenlanda dhe Shtetet e Bashkuara do të formojnë një grup pune të nivelit të lartë për të vazhduar diskutimet.
Trump nuk mori pjesë në bisedime, por para se të fillonte takimi, ai shkroi në platformën Truth Social se SHBA-të "kanë nevojë për Groenlandën për arsye sigurie kombëtare”. Sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë, ishulli në Arkitik është jetik për Kupolën e Artë që po ndërton Amerika.
Kjo ishte hera e parë që Trump e lidhi pushtimin e territorit autonom danez me planin kolosal amerikan të mbrojtjes nga raketat.
Ndërkohë, gjatë bisedimeve, Shtëpia e Bardhë postoi një karikaturë në platformën X, me mbishkrimin: “Nga po shkon, Groenlandë?”.
Karikatura shfaq dy slita me qen që lëvizin dhe dy destinacionet e tyre të mundshme, në njërin krah Amerika e simbolizuar nga Shtëpia e Bardhë nën qiellin e kaltër e të kthjellët, dhe në krahun tjetër Kina me Rusinë, të përfaqësuara nga Muri i Madh Kinez dhe Sheshi i Kuq, në errësirë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)