Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë krijuar pasiguri dhe dilema, pasi sinjalet e orëve të fundit tregonin qartë përgatitje për një ndërhyrje ushtarake amerikane kundër Iranit, e cila në fund nuk u realizua.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se vendimi për të mos vepruar u mor në çastet e fundit, me ish-presidentin amerikan Donald Trump që, sipas gazetës gjermane Bild, vendosi të ndalë operacionin.
Situata u përshkallëzua ndjeshëm pas raportimeve se personeli ushtarak amerikan ishte tërhequr nga disa baza në rajon si masë sigurie. Po atë ditë, hapësira ajrore mbi Iranin u mbyll plotësisht dhe sistemet e radarëve nuk regjistruan asnjë fluturim civil mbi territorin iranian. Paralelisht, avionë cisternë amerikanë u panë duke u ngritur nga baza ajrore në Katar, çka forcoi bindjen se SHBA-të po përgatiteshin për veprime ushtarake.
Sipas New York Times, bombardues amerikanë me rreze të gjatë veprimi ishin vënë në gatishmëri për sulme të mundshme, por më vonë një zyrtar amerikan konfirmoi se këto përgatitje ishin ngrirë.
Ndërkohë, Faytuks Netëork raportoi për zhurma avionësh luftarakë në disa pika të hapësirës ajrore të Irakut, duke shtuar edhe më shumë spekulimet, megjithëse pa prova konkrete për një sulm të menjëhershëm.
Në këtë klimë tensioni, Trump deklaroi se autoritetet iraniane kishin ndaluar ekzekutimet e protestuesve, duke lënë të kuptohet se kishte marrë informacione nga burime të besueshme. Kjo deklaratë pasoi shtyrjen e ekzekutimit të një protestuesi të ri iranian, fakt që u interpretua nga disa si një përpjekje e Teheranit për të ulur tensionet.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)