Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Mineapolisit, në shtetin amerikan të Minesotës, ku agjentë federalë të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave kanë qëlluar për vdekje një burrë 51-vjeçar. Lajmi është konfirmuar nga guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i cili reagoi ashpër ndaj pranisë së forcave federale në shtet.
Sipas Ministrisë së Sigurisë Kombëtare, viktima ishte e armatosur dhe iu afrua agjentëve me një armë zjarri. Autoritetet federale deklarojnë se oficerët tentuan ta çarmatosnin, por burri reagoi me rezistencë të fortë dhe të dhunshme, duke rrezikuar jetën e agjentëve. “Nga frika për jetën e tyre dhe të kolegëve, një prej agjentëve qëlloi në vetëmbrojtje”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Ngjarja ndodhi në një zonë ku pati edhe përplasje mes agjentëve federalë dhe protestuesve. Autoritetet lokale u bënë thirrje qytetarëve të ruanin qetësinë dhe të shmangnin zonën.
Guvernatori Walz akuzoi administratën federale dhe presidentin Donald Trump, duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të mijëra agjentëve federalë nga Minesota. Ai theksoi se kjo është hera e tretë e të shtënave me armë në Mineapolis brenda tre javësh, çka ka rritur ndjeshëm tensionin.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pas një proteste masive në qendër të qytetit, ku dhjetëra mijëra persona marshuan kundër pranisë së agjentëve ICE në Mineapolis.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)