Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka kryer sulme ajrore ndaj tre anijeve të dyshuara për trafik droge në Oqeanin Paqësor Lindor dhe në detin e Karaibeve, ku 11 persona kanë humbur jetën.
Sipas deklaratës zyrtare, forcat amerikane goditën dy anije në Paqësorin Lindor dhe një në Karaibe, duke vrarë katër persona në secilën prej dy anijeve të para dhe tre në anijen e tretë. Të gjitha anijet, sipas ushtrisë amerikane, po kalonin nëpër rrugë të njohura trafiku droge dhe ishin të përfshira në operacione të trafikut të paligjshëm të narkotikëve. Asnjë anëtar i forcave amerikane nuk u plagos në këto veprime.
Këto sulme bëhen pjesë e një fushate më të gjerë ushtarake që ka nisur që në shtator të vitit të kaluar, me arsyetimin e qeverisë amerikane se synon të ndalojë trafikimin e drogës drejt SHBA-së. Me sulmet e fundit numri i personave të vrarë nga operacionet e njohura si “Operation Southern Spear” ka shkuar në mbi 140 të vdekur në dhjetëra sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor.
Megjithatë, këto operacione kanë ngjallur polemika serioze ligjore dhe politike. Ekspertët për të drejtat e njeriut dhe disa ligjvënës amerikanë kanë kritikuar përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj personave që nuk janë arrestuar apo gjykuar, duke i cilësuar veprimet si ekzekutime jashtë gjyqit dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Kritikat theksojnë se SHBA nuk është në një luftë të shpallur me kartelët e drogës, çka e bën juridikisht të diskutueshme përdorimin e armatimit ushtarak ndaj këtyre anijeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)