Europa mes shpresës dhe skepticizmit mbi planin e Trump për luftën Rusi-Ukrainë

BE ende nuk ka një qëndrim të unifikuar mbi negociatat në Florida mes SHBA dhe Ukrainës. Disa janë skeptikë për mungesën e detajeve të planit të paqes dhe disa janë optimistë për një dritare të mundshme paqeje.

01.12.2025. 13:07

Europa mes shpresës dhe skepticizmit mbi planin e Trump për luftën Rusi-Ukrainë

Pas përfundimit të raundit të parë të negociatave në Florida midis përfaqësuesve të lartë ukrainas dhe zyrtarëve amerikanë, nga Brukseli po vijnë sinjalet e para mbi mënyrën se si Evropa zyrtare po e lexon këtë proces diplomatik. Edhe pse bisedimet nuk prodhuan një vendim zyrtar, ecuria e tyre ka filluar të ndikojë në qasjen evropiane ndaj mundësisë së një marrëveshjeje paqeje.

Burime mediatike dhe raportime nga institucionet evropiane tregojnë se brenda BE-së ka një përzierje të dy tendencave. Skepticizëm të vazhdueshëm dhe optimizëm në rritje. Skepticizmi lidhet kryesisht me faktin se vendet evropiane nuk janë informuar në mënyrë të plotë mbi detajet e planit të paqes, veçanërisht mbi çështjet territoriale, të cilat sipas mediave në Kiev mbeten ende “të pazgjidhura”. Po ashtu, kompromiset e mundshme që prekin perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO nuk shihen me entuziazëm nga disa kryeqytete evropiane.

Megjithatë, për herë të parë që nga fillimi i negociatave, në diskursin publik evropian vërehet shpresë se procesi mund të prodhojë rezultate konkrete. Media dhe analistë në Bruksel flasin për një “dritare mundësie” që nuk ishte e pranishme më parë.

Deklarata e fundit e diplomates së lartë të BE-së, Kaja Kallas, e cila theksoi se java e ardhshme do të jetë vendimtare për Ukrainën, shihet nga vëzhguesit si një sinjal se Evropa po e konsideron seriozisht propozimin e Donald Trump. Sipas disa interpretimeve, ky është një tregues se BE-ja mund të jetë e gatshme të vlerësojë më konkretisht planin amerikan, pavarësisht rezervave të vazhdueshme.

Në këtë klimë të re diplomatike, Evropa gjendet mes dy qëndrimeve, mbrojtjes së interesave të Ukrainës dhe gatishmërisë për të shqyrtuar një mundësi reale për t’i dhënë fund luftës. Balancimi i këtyre dy elementeve pritet të përcaktojë qëndrimin evropian në ditët në vijim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)