Tragjedia pas darkës së Krishtlindjeve, pesë persona nën hetim

Nënë e bijë humbën jetën pas helmimit nga ushqimi në Itali, mjekët i kthyen dy herë në shtëpi.

29.12.2025. 13:14

Tragjedia pas darkës së Krishtlindjeve, pesë persona nën hetim

Prokuroria e Kampobaso-s ka hapur një hetim penal lidhur me vdekjen e 50-vjeçares Antonella Di Ielsi dhe vajzës së saj 15-vjeçare, Sara Di Vita. Ato ndërruan jetë mes mbrëmjes së të shtunës dhe mëngjesit të së dielës në spital, pasi dyshohet që pësuan një helmim të rëndë ushqimor.

Sipas burimeve pranë organit të akuzës, pesë persona janë aktualisht nën hetim. Dosja përfshin disa hipoteza veprash penale, përfshirë edhe më të rëndën: Vrasje nga pakujdesia në rrethana të shumëfishta. Në regjistrin e të hetuarve janë përfshirë mjekë dhe personel shëndetësor që ishin në shërbim në ditët kur familja ishte paraqitur në spital për simptoma të forta helmimi.

Policia e Kampobaso-s ka sekuestruar ushqimet në banesën e familjes në Pietracatella, ku ishin konsumuar vaktet e festave të fundvitit. Janë marrë kavanoza, konserva, produkte ushqimore të ndryshme dhe mbetje ushqimi, të gjetura në mbeturina, ku mes tyre kishte edhe guaska midhjesh. Sipas informacioneve paraprake, familja kishte konsumuar edhe kërpudha.

Hetuesit theksojnë se asnjë pistë nuk përjashtohet, ndërsa priten rezultatet e analizave toksikologjike për të identifikuar shkakun e saktë të helmimit. Hetimi synon rindërtimin e plotë të trajtimit shëndetësor, përfshirë vizitat e para në urgjencë në ditët para vdekjeve. Nëna dhe e bija ishin paraqitur edhe dy herë të tjera në spital, por mjekët i kthyen në shtëpi.

Ndërkohë, Gianni Di Vita, bashkëshorti i viktimës dhe babai i vajzës, i cili kishte shfaqur simptoma të ngjashme, është transferuar në një tjetër spital. Gjendja e tij raportohet e qëndrueshme, por ai mbetet nën monitorim të vazhdueshëm po i nënshtrohet ekzaminimeve të specializuara.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)