Pesë vjedhje në harkun e katër muajve, kisha mbyll dyert për besimtarët: Është përdhosur!

Katedralja e Carrara-s në Itali është vënë sistematikisht në shënjestër të hajdutëve, karabinierët po analizojnë imazhet e kamerave të sigurisë.

08.01.2026. 19:16

Pesë vjedhje në harkun e katër muajve, kisha mbyll dyert për besimtarët: Është përdhosur!

Pesë vjedhje në harkun e katër muajve të fundit. Katedralja e Carrara-s në Itali është vënë sistematikisht në shënjestër të hajdutëve. Pas rastit të pestë, prifti Don Piero Albanesi vendosi të mbyllë dyert e kishës për besimtarët por edhe për ata që e vizitonin.

Vjedhja e fundit ka ndodhur gjatë festës së Epifanisë, në Ditën e Ujit të Shenjtë, kur katedralja ishte e hapur, siç ndodh zakonisht në ditët e shënuara. Sipas hetimeve, hajdutët hynë në kishë rreth orës 14:30.

Ata fillimisht tentuan të thyenin një kuti pas altarit kryesor dhe tabernakulin e Shenjtë, që në traditën kristiane është Shtëpia e Zotit mes njerëzve. Më pas, hajdutët përdorën një çelës të madh për të shkatërruar derën e blinduar dhe morën orendi me vlerë, por edhe paratë që ishin lënë për lëmoshë përpara altarit.

Nëpërmjet një letre të hapur për besimtarët, prifti shprehu trishtimin e tij për ngjarjen. “Jam zhytur në një trishtim dhe hidhërim të plotë”, tha ai. Për Don Pietro Albanese, nuk bëhet fjalë vetëm për vjedhje, por “kjo ishte përdhosje”. Sipas tij, me sendet e marra, ishte si të kishin vjedhur “zemrën” e kishës.

Hetimet po zhvillohen, me karabinierët që po analizojnë imazhet e kamerave të sigurisë, në tentativën për të identifikuar autorët. Ndërkohë, katedralja do të mbetet e mbyllur deri të shtunën e ardhshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)