Rusia lëshon ferrin mbi Ukrainë, godet me raketë hipersonike ‘Oreshnik’ pranë kufijve të NATO-s

Sulmi me raketën hipersonike "Oreshnik" ka ndodhur shumë pranë kufijve të NATO-s, duke qenë se Lvivi ndodhet vetëm 70 km larg kufirit me Poloninë.

Burimi: Reuters

09.01.2026. 10:14

Rusia lëshon ferrin mbi Ukrainë, godet me raketë hipersonike ‘Oreshnik’ pranë kufijve të NATO-s

Në një sulm që shihet si kundërpërgjigje për tentativën e Ukrainës për të sulmuar me dronë rezidencën e Vladimir Putin në rajonin rus të Novgorodit, Moska ka goditur mbrëmjen e djeshme objektiva në qytetin e Lvivit duke përdorur raketën hipersonike ‘Oreshnik’.

Sulmi ka ndodhur shumë pranë kufijve të NATO-s, duke qenë se Lvivi ndodhet vetëm 70 km larg kufirit me Poloninë.

Forcat e armatosura ruse thanë se kishin lëshuar një raketë hipersonike ‘Oreshnik’ drejt një objektivi në Ukrainë, si pjesë e asaj që ata e quajtën një sulm masiv gjatë natës ndaj impiantit të prodhimit të energjisë dhe dronëve në vend.

Ministria e Mbrojtjes konfirmoi përmes një deklarate se sulmi ishte në përgjigje të një sulmi ukrainas me dronë në njërën nga rezidencat e Presidentit Vladimir Putin në fund të dhjetorit.

Edhe guvernatori i rajonit perëndimor ukrainas të Lvivit konfirmoi sulmin ruse duke thënë se është goditur infrastruktura, e cila sipas raporteve të pakonfirmuara në mediat sociale ishte një strukturë e madhe nëntokësore për ruajtjen e gazit. Sipas raporteve të medias, Forcat Ajrore Ukrainase thanë se një raketë balistike, që udhëtonte me gati 8,000 mph, u përdor në sulm.

Nga ana ukrainase, Forcat Ajrore thanë se Rusia nisi mbrëmë një sulm me 242 dronë dhe 36 raketa, përfshirë një Oresnik hipersonik, duke synuar infrastrukturën kritike të Ukrainës.

Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 226 mjete ajrore pa pilot dhe 18 raketa. Sipas një postimi nga Forcat Ajrore të vendit në Telegram, 18 raketa dhe 16 dronë sulmues goditën objektivat e tyre në 19 vende.

“Sulmi i Rusisë gjatë natës me një raketë ‘Oreshnik’ pranë kufijve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s është një kërcënim serioz për sigurinë evropiane”, tha Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibikha, duke u bërë thirrje partnerëve të rrisin presionin mbi Moskën.

Sibikha tha se Kievi po informonte Shtetet e Bashkuara, partnerët evropianë dhe vendet e tjera për detajet e sulmit përmes kanaleve diplomatike.

"Presidenti rus Vladimir Putin po përdor një IRBM (raketë balistike me rreze të mesme veprimi) pranë kufijve të BE-së dhe NATO-s në përgjigje të iluzioneve të tij. Ky është vërtet një kërcënim global. Dhe kërkon përgjigje globale", tha ai.

Kjo është hera e dytë që Moska përdor raketën hipersonike ‘Oreshnik’ për të sulmuar Ukrainën, me sulmin e parë të ndodhur në nëntor 2024 kundër një uzinë ushtarake, që u përshkrua si ardhja e ferrit në tokë. Asokohe, burimet ukrainase thanë se raketa mbante një kokë luftarake pa ngarkesë shpërthyese dhe shkaktoi dëme të kufizuara.

Putini ka argumentuar se ‘Oreshnik’, një raketë me rreze të mesme veprimi, është e pamundur të interceptohet për shkak të shpejtësisë që është dhjetë herë më e madhe se shpejtësia e zërit. Po ashtu fuqia shkatërruese e një rakete ‘Oreshnik’ është e krahasueshme me atë të një arme bërthamore, edhe kur mban një kokë luftarake konvencionale.

Ndërkohë, raportohet se më shumë se 500,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të një sulmi ukrainas në rajonin rus të Belgorodit. Këtë e konfirmoi edhe guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov.

"Sot në orën 6 të mëngjesit, 556,000 njerëz në gjashtë komuna janë pa energji elektrike, pothuajse i njëjti numër nuk kanë ngrohje", tha ai nëpërmjet Telegram, duke shtuar se 200,000 njerëz gjithashtu nuk kanë ujë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)