Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara duan të marrin kontrollin mbi Groenlandën, ishull i pasur me minerale dhe me rëndësi strategjike, që është një rajon gjysmëautonom pjesë e Danimarkës, aleat i NATO-s. Ai ka thënë se SHBA duhet ta zotërojë ishullin dhe ka lënë të kuptohet se, nëse nuk arrihet “në mënyrë diplomatike”, mund të përdoret edhe “rruga e vështirë”.
Megjithatë, banorët vendas nuk duan të bëhen pjesë e SHBA-së, ndërsa kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi se një marrje me forcë e ishullit do të shkatërronte NATO-n, shkruan AP. Groenlanda ka rreth 57,000 banorë dhe nuk ka ushtri të vetën, pasi mbrojtja sigurohet nga Danimarka. Analistët paralajmërojnë se një veprim i tillë ushtarak do të kishte pasoja të mëdha diplomatike dhe do të tensiononte marrëdhëniet me aleatët.
Shtetet e Bashkuara tashmë kanë akses në Groenlandë përmes një marrëveshjeje mbrojtjeje të vitit 1951 dhe mund të rrisin praninë ushtarake pa marrë kontrollin e ishullit. Një alternativë mund të jetë një marrëveshje bilaterale, si ajo me ishujt në Paqësor (Palau, Mikronezia, Ishujt Marshall), që u jep SHBA-ve të drejtën të operojnë baza ushtarake dhe të marrin vendime për sigurinë, në këmbim të mbrojtjes dhe ndihmës ekonomike.
Megjithatë, ndikimi i popullsisë lokale për t’u bashkuar me SHBA-në duket i pamundur, pasi komuniteti është i vogël dhe i përfshirë në kulturën dhe gjuhën e vet. Ndërkohë, çdo kontroll amerikan do të kërkonte krijimin e një sistemi të mirëqenies për banorët, siç kanë danezët aktualisht, çka do të ishte një kosto e madhe.
Ekspertët vlerësojnë se opsioni më realist është përditësimi i marrëveshjes ekzistuese të mbrojtjes, që i lejon SHBA-ve të rrisin praninë ushtarake në Groenlandë pa e destabilizuar NATO-n.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)