Rusia po shkon drejt një tjetër shtrëngimi drastik të kontrollit shtetëror, pasi Duma Shtetërore ka miratuar parimisht një projektligj që i jep Shërbimit Federal të Sigurisë, FSB, kompetenca pothuajse të pakufizuara për të ndërprerë komunikimet në të gjithë vendin. Nëse ligji miratohet plotësisht, presidenti Vladimir Putin dhe qeveria ruse do të kenë mundësinë të urdhërojnë mbylljen e rrjeteve të komunikimit sa herë që e konsiderojnë të nevojshme.
Sipas projektligjit, bëhen dy ndryshime kryesore në ligjin rus “Për komunikimet”. I pari i jep FSB-së të drejtën të urdhërojë operatorët e telekomunikacionit të ndërpresin shërbimet për të “mbrojtur qytetarët dhe shtetin nga kërcënime të reja të sigurisë”. I dyti i përjashton operatorët nga çdo përgjegjësi ligjore për këto ndërprerje, edhe nëse ato shkelin kontratat me klientët.
Problemi kryesor, sipas portalit të pavarur Meduza, është se ligji nuk përcakton qartë se çfarë përbën “kërcënim të sigurisë”, duke ia lënë këtë vlerësim drejtpërdrejt presidentit dhe qeverisë. Zyrtarisht, masa justifikohet si pjesë e luftës kundër terrorizmit, por gjatë debatit parlamentar zëvendësministri i Zhvillimit Digjital, Ivan Lebedev, deklaroi se synimi real është mbrojtja ndaj sulmeve me dronë nga Ukraina.
Në praktikë, kjo do të thotë formalizim i një metode që tashmë përdoret. Që nga viti 2024, disa rajone ruse janë nën “regjim antiterrorist”, çka ka lejuar ndërprerje të komunikimeve. Një rast ekstrem u shënua në qershor 2025, kur dronë ukrainas të komanduar nga distanca shkatërruan avionë strategjikë brenda territorit rus.
Ligji i ri do t’i japë autoriteteve mundësinë të pezullojnë pothuajse çdo formë komunikimi, internet fiks, celular, satelitor, telefonata dhe mesazhe. Ky nuk është hapi i vetëm në rritjen e fuqisë së FSB-së, pasi më herët ajo mori të drejtën të krijojë edhe qendra të veta paraburgimi, jashtë sistemit shtetëror të burgjeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)