Një 20-vjeçar me origjinë nga Tunizia është dënuar me pesë vite burg nga Gjykata e Udines në Itali, pasi u shpall fajtor për keqtrajtim të rënduar në familje ndaj bashkëshortes së tij, një italiane në të njëjtën moshë. Sipas hetimeve, çifti kishte nisur lidhjen në vitin 2022.
Pasi bashkëjetuan, ata vendosën ta kurorëzonin dashurinë në martesë në shkurt të vitit 2024. Sipas akteve të Prokurorisë, nga ai moment situata në familje do të ishte përkeqësuar ndjeshëm. Që në natën e parë të martesës, i riu dyshohet se e ka akuzuar bashkëshorten për sjellje të papërshtatshme, duke e goditur në fytyrë dhe duke e kërcënuar me një objekt qelqi.
Episodet e dhunës fizike, përfshirë shtyrje, goditje dhe tentativa për ta penguar të kërkonte ndihmë ishin përsëritur edhe në ditët në vijim, madje edhe gjatë një qëndrimi në Gjermani. Në dosje përfshihen gjithashtu kërcënime me vdekje, fyerje dhe dhunë e vazhdueshme. Hetimet zbuluan një situatë kontrolli të vazhdueshëm dhe obsesiv. Sipas akuzës, 20-vjeçari i impononte bashkëshortes mënyrën e veshjes, duke e detyruar të mbante rroba të gjera dhe të ndryshonte pamjen e saj.
Ndër akuzat më të rënda është pretendimi se ai e detyronte të shtonte në peshë me qëllim që, sipas tij ta bënte më pak tërheqëse në sytë e meshkujve të tjerë. Po ashtu, ai dyshohet se i kufizonte kontaktet me miqtë dhe familjarët, i kontrollonte vazhdimisht telefonin celular, mesazhet dhe rrjetet sociale, si dhe monitoronte çdo lëvizje të saj.
Pas kallëzimit nga ana e gruas, i riu u arrestua dhe u vendos në arrest shtëpie me byzylyk elektronik. Megjithatë, pasi hoqi pajisjen, ai u arratis në Francë, ku dyshohet se kishte nisur një lidhje të re. Pas rikthimit në Itali, u arrestua sërish dhe më pas u zhvillua procesi gjyqësor që përfundoi me dënimin me pesë vite burg.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)