“Nga një milion dollarë, në vetëm 50 mijë”, Princi Harry zbeh “markën” e familjes mbretërore

Mediat ndërkombëtare raportojnë se pagesa modeste për fjalimin në Uashington ka shkaktuar pakënaqësi te Meghan Markle.

14.02.2026. 10:05

“Nga një milion dollarë, në vetëm 50 mijë”, Princi Harry zbeh “markën” e familjes mbretërore

Vetëm 50 mijë dollarë. Kjo është shuma që, sipas disa mediave ndërkombëtare dhe burimeve anonime, princi Harry do të përfitojë për fjalimin e tij në një samit mbi privatësinë në Uashington. Një shifër që sipas të njëjtave zëra, duket se ka shkaktuar pakënaqësi tek Meghan Markle.

Sipas raportimeve, irritimi i supozuar nuk lidhet thjesht me pagesën e një angazhimi të vetëm, por me atë që kjo situatë simbolizon: një “zbehje” të mundshme të vlerës tregtare të markës Sussex në tregun e eventeve ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim, 50 mijë dollarët shihen si tregues i ndikimit të ulët të Harry-t në qarkun e folësve të profilit të lartë.

Deri më tani, kjo shifër nuk figuron në asnjë dokument zyrtar të eventit dhe as në komunikimet e organizatorëve. Bëhet fjalë për një prapaskenë të publikuar fillimisht në rubrika rozë dhe më pas të përhapur gjerësisht në media. Ajo që është e konfirmuar është pjesëmarrja e Harry-t në IAPP Global Summit 2026.

Shoqata Ndërkombëtare e Profesionistëve të Privatësisë e ka listuar zyrtarisht si një nga folësit kryesorë, ku ai do të mbajë fjalim në skenën qendrore të një prej eventeve më të rëndësishme globale për privatësinë, inteligjencën artificiale dhe sigurinë kibernetike.

Zhurma mediatike është shtuar edhe për shkak të krahasimeve me vitin 2020, kur disa media spekulonin se çifti mund të kërkonte deri në një milion dollarë për fjalim. Edhe ato shifra, ishin vlerësime hipotetike të kohës, të lidhura me interesin e madh që shoqëroi largimin e tyre nga Familja Mbretërore.

Sot, diferenca mes “një milion” dhe “50 mijë” dollarëve përdoret si argument për të ngritur pikëpyetje mbi forcën aktuale të brand-it Sussex, i cili prej kohësh përballet me vlerësime të ndryshme në lidhje me projektet mediatike dhe pozicionimin publik të çiftit. Nëse pagesa reale është vërtetë 50 mijë dollarë apo një shifër tjetër, kjo mbetet e pakonfirmuar. Por debati për vlerën e markës “Sussex” duket se vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes mediatike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)