Dhunoi brutalisht nënën në ditën e 20-vjetorit dha fund jetës, gjendet trupi i të riut shqiptar

Nëna pësoi frakturë në nofull dhe aktualisht ndodhet në koma të induktuar, por jashtë rrezikut për jetën. I riu u hodh në det dhe nuk doli më.

22.02.2026. 22:45

Dhunoi brutalisht nënën në ditën e 20-vjetorit dha fund jetës, gjendet trupi i të riut shqiptar

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Pollenza-s dhe qytetin bregdetar të Civitanova Marche, ku 20-vjeçari me origjinë shqiptare Riccardo Merkuri u gjet i pajetë në det, pas disa orësh kërkimesh intensive nga autoritetet italiane. Sipas rindërtimit të ngjarjes, gjithçka nisi mbrëmjen e 20 shkurtit, gjatë darkës për 20-vjetorin e tij.

I riu ndodhej i vetëm në banesë me nënën, Albana Kastriot, ndërsa babai, Mario Merkuri, dhe vëllai më i madh ishin ende jashtë. Pas një konflikti për motive ende të paqarta, i riu dyshohet se e ka goditur rëndë nënën, duke i shkaktuar dëmtime serioze.

Pasi dëgjoi britma nga banesa, një fqinj lajmëroi karabinierët. Kur forcat e rendit mbërritën në vendngjarje, 20-vjeçari ishte larguar, ndërsa gruaja u gjet pa ndjenja në banjë. Ajo u transportua me urgjencë në spitalin e Maceratës, me frakturë në nofull dhe aktualisht ndodhet në koma të induktuar, por jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes, nisën kërkimet për të riun, i akuzuar për plagosje të rëndë. Ai ishte larguar me makinën e tij, një Mercedes A Class, teksa kishte lënë telefonin celular në shtëpi. Automjeti u gjet të nesërmen në parkimin pranë hyrjes së portit të Civitanova Marche. Pamjet e kamerave të sigurisë zbuluan lëvizjet e tij: i riu hyn në zonën e portit dhe më pas shihet duke u hedhur nga moli në det.

Në video ai dukej se doli një herë në sipërfaqe, u ngjit dhe u hodh përsëri disa metra më tej. Pas atij momenti, nuk u shfaq më në pamje. Në operacionin e kërkimit u angazhuan zjarrfikësit me njësinë e zhytësve nga Teramo, Roja Bregdetare dhe karabinierët. Pas disa orësh, trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet në ujërat e portit, duke shënuar një epilog tragjik të dramës familjare.

Familja Merkuri, me origjinë shqiptare dhe e vendosur në Itali prej viteve ’90, njihet si e integruar në komunitetin e Pollenzës. Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj drame familjare që përfundoi me humbjen e një jete.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)