Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se lufta me Rusinë ndodhet “në fillimin e fundit”, duke theksuar se të dyja palët kanë nevojë për një armëpushim. Në një intervistë për “Financial Times”, ai paralajmëroi se çdo ndalim i përkohshëm i luftimeve pa garanci të forta nga Perëndimi, do t’i jepte Moskës kohë për t’u riorganizuar dhe për të përgatitur një sulm të ri.
“Një pauzë u duhet atyre po aq sa edhe neve. Ukraina ka nevojë për një armëpushim: dje, sot, nesër. Por ne nuk kemi nevojë për një pauzë. Kemi nevojë për fundin e luftës”, u shpreh Zelensky. Ai nënvijëzoi se prioritet mbetet zgjidhja e qëndrueshme rreth luftës dhe jo thjesht një ndërprerje e përkohshme e konfliktit.
Më pas, Zelensky mbajti një fjalim edhe në Parlamentin Europian. Nëpërmjet një videomesazhi, ai iu drejtua seancës plenare duke e cilësuar Rusinë si një “diktaturë të paqëndrueshme” që bie ndesh me vlerat themelore europiane.
“Ka shumë diktatura në botë. Disa e kufizojnë lirinë brenda kufijve të tyre. Të tjera nuk njohin fare kufij dhe përpiqen të shkatërrojnë lirinë e fqinjëve, të rajoneve të tëra, madje edhe të botës. Me Rusinë përballemi me llojin e dytë të kërcënimit”, deklaroi ai.
Sipas presidentit ukrainas, Kremlini nuk mund të pranojë që në Europë çdo jetë ka vlerë, se të drejtat e njeriut janë thelbësore dhe se kombet, pavarësisht nëse janë të mëdha apo të vogla, kanë të drejtë të mbrohen. “Ju lutem, vazhdoni të mbroni stilin europian të jetesës. Ju lutem, mbështesni Ukrainën. Mbështesni diplomacinë tonë për paqen dhe jini efektivë. Çdo rezultat që arrini është një vijë që Putini nuk mund ta kalojë”, u shpreh Zelensky.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)