Në 4-vjetorin e luftës, Londra shpall paketën më të madhe të sanksioneve kundër Rusisë

Paketa përfshin gati 300 masa të reja ndëshkuese, të fokusuara kryesisht në të ardhurat energjetike të Rusisë, ku më të prekura janë padyshim eksportet e naftës.

24.02.2026. 12:55

Në 4-vjetorin e luftës, Londra shpall paketën më të madhe të sanksioneve kundër Rusisë

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar paketën më të madhe të sanksioneve kundër Rusisë, që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës katër vite më parë. Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate zyrtare të qeverisë britanike.

Sipas Londrës, paketa përfshin gati 300 masa të reja ndëshkuese, të fokusuara kryesisht në të ardhurat energjetike të Rusisë, ku më të prekura janë padyshim eksportet e naftës. Gjithashtu, sanksionet përfshijnë edhe furnizuesit kryesorë të pajisjeve ushtarake, që mbështesin përpjekjet e luftës së Kremlinit.

Në shënjestër është vendosur edhe një nga kompanitë më të mëdha të tubacioneve në botë, “PJSC Transneft”. Ajo është përgjegjëse për transportimin e mbi 80% të eksporteve të naftës ruse. Sipas autoriteteve britanike, masa synon të vështirësojë përpjekjet e Moskës për të gjetur blerës për naftën e saj.

Qeveria britanike njoftoi gjithashtu se ka goditur rrjetin e ashtuquajtur “2Rivers”, duke vendosur sanksione ndaj 175 kompanive të lidhura me këtë strukturë, e cilësuar si një nga operatorët më të mëdhenj në botë të “flotës në hije” për transportin e naftës ruse dhe një aktor i rëndësishëm në tregtinë e paligjshme të saj.

Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se masat prekin edhe 49 individë dhe entitete që mbështesin industrinë ushtarake ruse, tre kompani të sektorit civil bërthamor, dy persona të përfshirë në zgjerimin energjetik jashtë vendit, gjashtë objektiva në sektorin e gazit natyror të lëngshëm si edhe nëntë banka ruse të përfshira në pagesa ndërkombëtare në mbështetje të përpjekjeve luftarake.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)