Qyteti i Kostiantynivka-s, në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore, vazhdon të jetë objekt i sulmeve të përsëritura ruse, ndërsa situata e sigurisë për civilët mbetet kritike. Sipas pamjeve të publikuara së fundmi, duket një “shi”bombardimesh. Mediat ukrainase kanë theksuar se pamjet nuk janë të përpunuara me inteligjencë artificiale.
Sipas autoriteteve ukrainase bëhet fjalë për municione me fosfor të bardhë, të cilat kanë goditur një zonë banimi. Fosfori i bardhë është një substancë ndezëse që njihet për shkaktimin e zjarreve të përhapura dhe djegieve të rënda, shpesh me pasoja të pakontrollueshme për njerëzit dhe infrastrukturën.
Organizatat ndërkombëtare e konsiderojnë përdorimin e tij në zona të populluara si veçanërisht të rrezikshëm për civilët. Gjatë sulmeve, një banor lokal humbi jetën pas një bombe me dron. Viktima, e cila po përpiqej të largohej nga qyteti me biçikletë, dyshohet se u godit qëllimisht.
Autoritetet dhe mediat ukrainase e kanë cilësuar sulmin si një gjenocid që po bëhet për të fshirë qytetet nga faqja e tokës. Forcat ukrainase dhe zyrtarët vendorë kanë bërë thirrje për rritjen e mbështetjes në sistemet e mbrojtjes ajrore, duke theksuar se ato janë thelbësore për mbrojtjen e qyteteve nga sulmet me raketa dhe dronë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)